Kosova

Kosova nis sot procesin zgjedhor me votimin e diasporës në 18 shtete

Kosova hyn sot zyrtarisht në fazën e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me hapjen e votimit për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, shkruan albinfo.ch.

Procesi nis të shtunën në orën 07:00 të mëngjesit, kur përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës hapin dyert për votimin fizik të diasporës në 18 shtete të ndryshme të botës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën për të votuar në këtë formë e kanë gjithsej 19 mijë e 187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë zgjedhur të votojnë në njërin nga 29 misionet diplomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky proces është përgatitur në detaje dhe se të gjitha përfaqësitë janë të gatshme për të pritur votuesit nga diaspora.

Votimi i mërgatës shënon hapin e parë të zgjedhjeve parlamentare, të cilat pritet të kulmojnë me ditën e votimit brenda vendit në javët në vijim.

Lexoni po ashtu:

Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë