Lajme
Kosova përkujton të zhdukurit
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se adresa e të pagjeturve është Serbia, e cila nuk jep detaje se ku kanë shkuar personat e rrëmbyer
Disa qindra familjarë të të zhdukurve kanë marrë pjesë të premten në Prishtinë në zbulimin e një pllake përkujtimore, e cila në mënyrë elektronike zbulon emrat e 1700 kosovarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit. Kjo pllakë u zbulua me rastin “Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve”.
Në ceremoninë e zbulimit të pllakës, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri tha se angazhimi i Qeverisë së Kosovës për ndriçimin e fatit të të pagjeturve ka qenë permanent dhe do të vazhdojë deri në fund. Pllaka u zbulua para Kuvendit të Kosovës.
“Është më rëndësi të thuhet që institucionet e Republikës së Kosovës, në radhë të parë Qeveria e Kosovës, në vazhdimësi është angazhuar dhe po angazhohet për fatin e të pagjeturve në shumë plane, duke kërkuar nga të gjitha institucionet relevante të bëjnë punën e tyre, për të gjetur dhe ndriçuar fatin e tyre dhe zgjidhur këtë problem”, tha ajo.
Sipas Tahirit, Drejtësia nuk është vetëm drejtësi politike, e cila duhet të vije me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se adresa e këtij problemi, por edhe zgjidhja, është te Serbia.
“Është e çuditshme si është ndërgjegjja njerëzore dhe ndërgjegjja institucionale e shteteve të ndryshme në botë, përfshirë edhe Serbinë në Ballkan”. Përderisa duhet një pendesë për gjenocidin do të thosha, kësaj pendese i shtohet një kontribut duke u angazhuar që të hapen arkivat, të gjenden të dhënat për këtë problem të madh” , tha Tahiri.
Në fjalën e saj zëvendëskryeministrja Tahiri, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me familjarët e të pagjeturve, me shoqatat përkatëse që merren me çështjen e të pagjeturve, po ashtu vlerësoj edhe punën e komisionit shtetëror, i cili po punon vazhdimisht jo vetëm për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.
“Ka pasur rezultate konkrete në këtë drejtim sepse numri ka qenë shumë më i madh, edhe pse për neve rezultati përfundimtar është ai kur të zgjidhet plotësisht ky problem” – theksoi zëvendëskryeministrja kosovare Edita Tahiri.
Në anën tjetër kryeparlamentari Jakup Krasniqi, shprehu keqardhje që përgjegjësi kryesor i këtyre krimeve vdiq pa u dënuar për gjenocidin e bërë në Ish-jugosllavi.
“Neve na vjen keq që fajtori kryesor i këtyre luftërave dhe gjenocidit ka mbetur pa u ndëshkuar dhe si duket kjo i ka trimëruar forca të caktuara në Beograd për të mos ndje pendesën e atij gjenocidi, për të bërë një kërkim falje. Më vjen keq që ai regjim dhe ata njerëz që kanë ushtrua gjenocidin kanë mbet pa ndëshkuari”, ka thënë ai.
Koordinatori i Këshillit të Shoqatave Shqiptare të Familjeve të të Zhdukurve, Haki Kasumi tha se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre deri në gjetjen e të gjithë të zhdukurve dhe shtoi se veprime të tilla e zbusin dhimbjen e familjarëve të të pagjeturve.
“Shtrojmë kërkesën tash e 14 vite dhe do të vazhdojmë deri në gjetjen e përgjigjes për të dashurit tanë deri në zbardhjen e fatit të tyre. Veprimet e tilla zbusin dhimbjen tonë por nuk e shërojnë atë”, ka thënë Kasumi.
Ndërsa përfaqësuesi i familjeve të të pagjeturve, Bajram Qerkini, deklaroi se pak po bëhet në zbardhjen e fatit të këtyre personave dhe kërkoi që të punohet me vendosmëri për gjetjen e të zhdukurve.
“Tash e 14 vite po na shkelet e drejta elementare që të na kthehen familjarët tanë. Duhet një dorë e fortë që të përmirësohet kjo gjë” ka thënë ndër të tjera Qerkini.
Në ditën Ndërkombëtare të të zhdukurve reagoi edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe presidentja Aatifete Jahjaga, të cilët çështjen e të pagjeturve e konsideruan plagën që po rënkon ndër vite.
Ndryshe, 30 gushti njihet si Dita ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Në mbarë botën llogariten të zhdukur rreth një milion persona, ndërsa në rajonin e Ballkanit evidentohen si të zhdukur rreth 12 mijë persona, 1726 prej të cilëve janë kosovarë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












