Lajme
Kosova preferon modelin gjerman të arsimimit
Kosova dhe Gjermania do të thellojnë bashkëpunimin për riintegrim, arsim profesional dhe punësim
Qeveria e Kosovës është e angazhuar që modelin gjerman të arsimimit profesional ta aplikoj edhe në Kosovë, në mënyrë që të aftësojë të rinjtë për tregun e punës. Kështu deklaroi të enjten në Prishtinë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, duke u shprehur optimist, se arsimi profesional siguron edhe punësim.
Këto deklarata ministri Bajrami i bëri në konferencë për media, në të cilën u fol për riintegrimin, punësimin, arsimin dhe aftësimin e të rinjve, si dhe mundësitë e migrimit legal për punësim. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punës, Arban Abrashi dhe ambasadoren e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets.
Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, çështja e punësimit dhe migrimit është një sfidë, me të cilën Kosova po ballafaqohet dhe që në bashkëpunim me partnerët është e angazhuar që ta tejkalojë. “Jemi të vendosur që përmes arsimit cilësor profesional të sigurojmë punësim, arsim profesional të ndërlidhur me nevojat e tregut të punës dhe të aplikojmë një arsim dual, sipas modelit gjerman të arsimit profesional”, tha ministri Bajrami.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, tashmë ka vendosur një partneritet të shkëlqyeshëm me Odat Ekonomike, me shoqatat zejtare në Gjermani dhe shpresojnë që modeli gjerman i arsimit profesional të konvertohet në realitetin kosovar, në realitetin e një ekonomie në ndërtim dhe ende të pazhvilluar.
Në vazhdim, ministri Bajrami theksoi nevojën e profilizimit të arsimit profesional por, edhe të arsimit të lartë, me qëllim që të krijohen mundësi punësimi.
“Jemi të sigurt se do punësojmë mijëra të rinj, në qoftë se kemi një profilizim të mirë të arsimit të mesëm profesional, por edhe profilizim të arsimit të lartë, sepse ekonomia jonë ka nevojë për specialistë në fusha të ndryshme”, tha ai.
Ministria e Arsimit, sipas tij, ka për detyrë që të ndërtojë standarde të arsimit profesional, që të diplomuarit të kenë kualifikime adekuate dhe që përmes migrimit legal të lëvizin në tregun evropian të punës.
Ndërkaq, ambasadorja Angelika Viets, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve do të vazhdojë sidomos në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional të të rinjve të Kosovës.
“Vitin e ardhshëm ne do të kemi ide të qarta për të përgatitur programin, i cili do të përmbyllë trajnimin për aftësim profesional. Ky program do të jetë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë Gjermane”, tha ambasadorja, ndërsa theksoi se mbështetja gjermane vitin e ardhshëm mund të bëhet edhe më objektive, më e orientuar dhe më e fuqishme.
Konferenca u mbajt në kuadër të tryezës “ Punësimi dhe Migrimi” , ku ishte hapur dhe panairi “ Krijojmë lidhje për Kosovën”
E-Diaspora
-
Talenti shqiptar që po pushton taekwondon zvicerane: Ajan Krasniqi shkëlqen me fitore dhe rekorde Një i ri me prejardhje nga Kosova po bën bujë në Zvicër. Ajan Krasniqi, i lindur... -
“Oda e Grave Shqiptare”, një hap i ri për fuqizimin e grave shqiptare në Zvicër -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës Për albinfo.ch Luljeta Ademi Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës... -
Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë -
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran












