Kosova
Kosovë, ditë zie për viktimat e aksidentit në Kroaci
Kosova sot është në ditë zie për viktimat që pësuan të dielën në një aksident rrugor në Kroaci, transmeton albinfo.ch.
Thuhet se dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.
Vlen të theksohet se autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.
Në mesin e viktimave është njëri shofer, ndërsa dy nga pasagjerët e plagosur janë të shtrirë në njësi të kujdesit intensiv në Sllavonski Brod.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.
“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti.
Të gjithë të mbijetuarit e aksidentit ndodhen ende në Kroaci. Mësohet se autoritetet e Kosovës dhe ato të Kroacisë po punojnë për organizimin e sjelljes në Kosovë të udhëtarëve të palënduar dhe të atyre me lëndime të lehta.
Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh, tha se disa të lënduar lehtë do të lirohen gjatë ditës së sotme nga spitali.
“Të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje tragjike do t’iu ofrohet ndihmë psikologjike”, tha ai.
Autoritetet thanë se shoferi që po voziste autobusin u ndalua nga policia.
“Ai [shoferi] tha se e mori gjumi për një moment”, tha zëvendësprokurori lokal, Sllavko Pranjiq.
“Kam parë të plagosur, kam parë të vdekur, kam parë gjithçka”, tha Ramo Gashi, njëri nga pasagjerët, për televizionin kroat HRT.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se është “i trishtuar” dhe “i pikëlluar” nga ngjarja, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe popullit të Kosovës.
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjithashtu shprehu ngushëllime dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë publikoi numrin e telefonit: +383 (0) 38 200 76 000, si kontakt për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve në Kroaci.
Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












