CH-Ballkani

Kosovë, hapet panairi i automjeteve të reja “Prishtina International Autoshow”

“Prishtina International Autoshow" është panairi i veturave të reja, i cili për herë të parë organizohet në shtetin e Kosovë

Janë 21 brende të njohura botërore të cilat po i prezantojnë në Prishtinë veturat e tyre të reja, në kuadër të panairit  “Prishtina International Autoshow” e cila për herë të parë organizohet në shtetin e Kosovë. Gjatë hapjes së këtij panairi, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se gjatë këtyre dy viteve e gjysmë është punuar në reforma, në mënyrë që të ketë një ambient më të mirë të të bërit biznes.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se një ndër arsyet kryesore të ndotjes së ambientit janë edhe veturat e vjetra. Sipas tij, zvogëlimi i numrit të veturave të vjetra dhe rritja e numrit të veturave të reja do të ndikojë në përmirësimin e ambientit në Prishtinë, citon KP.

Organizatori i këtij panairi, Bujar Hoxha u shpreh se tani kushtet për blerjen e veturave janë më të mira, pasi është bërë heqja e doganave dhe nuk ka arsye që njerëzit të blejnë vetura në vendet përreth. Ndryshe, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në Kosovë nuk mund të doganohen veturat më të vjetra se 10 vjet.