Kosova

Kosovë: PZAP-ja gjobit Listën Serbe me 30 mijë euro për shkelje gjatë fushatës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar një gjobë prej 30 mijë eurosh ndaj Listës Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas vendimit të datës 24 dhjetor 2025, PZAP-ja ka aprovuar ankesën e paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez, duke konstatuar se Lista Serbe nuk ka respektuar rregullat e fushatës dhe detyrimet ligjore ndaj kandidatëve.

Ankesa ishte dorëzuar më 23 dhjetor 2025 dhe lidhej me vendosjen e materialeve zgjedhore në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, veprim që bie ndesh me parimet dhe normat e përcaktuara për zhvillimin e fushatës zgjedhore.

Përveç gjobës financiare, PZAP-ja ka urdhëruar Listën Serbe që të largojë menjëherë nga hapësirat publike të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që përbëjnë shkelje.

Ky nuk është rasti i parë i ndëshkimit për këtë subjekt politik, pasi vetëm dy ditë më parë Lista Serbe ishte gjobitur edhe me 20 mijë euro për shkelje të ngjashme gjatë fushatës zgjedhore.