Lajme
Kosovë, viti i ngecjes ekonomike
Sipas ekspertëve të ekonomisë, numri i vogël i investitorëve ndërkombëtarë, burokracia dhe korrupsioni, penguan zhvillimin ekonomik. Papunësia mbetet 30 për qind
Edhe viti 2013, sikurse vitet tjera, kaloi me një gjendje jo të mirë sociale e ekonomike, ku varfëria ekstreme nuk po zbrit nga 10 përqindëshi, ndërsa papunësia ka mbetur statistike në 30 për qind. Po ashtu zhvillimi ekonomik ka qenë vetë 3 për qind që është shumë pak për një shtet në tranzicion.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, numri i vogël i investitorëve ndërkombëtarë, burokracia dhe korrupsioni, penguan zhvillimin ekonomik, ndërsa procesi i ngadalshëm në reformimin e ambientit biznesor si dhe normat e larta të interesit penguan zhvillimin e biznesit vendor.
E arritura në aspektin ekonomik gjatë vitit 2013 vlerësohet të jetë përfundimi i autostradës Prishtinë-Morinë, e cila kishte nisur të ndërtohet para tre vjetësh, në prill të vitit 2010. Ndërsa suksesi tjetër për vitin 2013, konsiderohet nënshkrimi i marrëveshjes për linjën e interkoneksionit 400 kV Kosovë- Shqipëri.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani thotë se mungesa e një strategjie ekonomike, si dhe instrumentet e politikës ekonomike, fiskale, kreditore dhe tregtisë së jashtme, nuk ishin në funksion të zhvillimit ekonomik.
“Edhe në këtë vit ekonomia e Kosovës karakterizohet me një deficit të lartë të bilancit të pagesave, karakterizohet me një ekonomi joformale, mandej kemi krimin e organizuar, kontrabandën ekonomike; ekziston rritje enorme e papunësisë, rritje e varfërisë dhe ulje e standardit jetësor”, shprehet Limani, raporton REL.
Edhe gjatë këtij viti, thotë profesori Musa Limani, Qeveria e Kosovës nuk arriti të krijojë politika të favorshme për sektorin e prodhimtarisë.
“Vetë fakti që kemi një deficit të madh të bilancit të pagesave, fakti tjetër që 60 për qind e mjeteve buxhetore formohen në kufi, del konstatimi se ne në Kosovë kemi nivelin e ulët të zhvillimit të forcave prodhuese. Sipas teorisë ekonomike dhe asaj të zbatuar, burimi kryesor i fitimit është prodhimi, jo tregtia – tregtia është shërbyese”, vlerëson Limani.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, vlerëson se rritja ekonomike prej 3 për qind është mjaft e ulët, nga ajo që është pritur dhe planifikuar.
“Në fillim të vitit 2011, Qeveria e Kosovës kishte hartuar vizionin e zhvillimit ekonomik ku parashihte rritje ekonomike vjetore 7 deri në 8 për qind me qëllim që ekonomia në fund të japë rezultate në zhvillimin ekonomik apo në punësim, mirëpo kjo nuk ishte arritur”, tha ai.
Rritja ekonomike prej 3 për qind, sipas tij, tregon se procesi ka ecur mbrapa, pasi që edhe nevojat kryesor të punësimit të të rinjve nuk janë plotësuar
Qeveria e Kosovës planin kryesor për rritje ekonomike, sipas Demit, e kishte bazuar në shitjen e ndërmarrjeve publike dhe këto ndërmarrje pas dështimit që të shiten dhe mungesa e planeve alternative, ka bërë që Kosova të mos ketë zhvillim ekonomik.
Ndryshe, dëshpërimi i të rinjve në Kosovës vazhdon të mbetet i madh. Sipas një sondazhi që është bërë gjatë verës, ka dalë se shumica e të rinjve kosovarë dëshirojnë të emigrojnë jashtë vendit. Ky është indikatori më i madh që tregon se Kosova nuk po krijon klimë për të rinjtë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar










