Lajme
KQZ-ja pranon 1 mijë e 239 aplikime nga jashtë për zgjedhjet lokale në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1 mijë e 239 aplikime për t’u regjistruar jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kjo shifër e aplikimeve është regjistruar nga 23 korriku kur KQZ-ja hapi periudhën e aplikimit, e deri më sot në orën 09.00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për RTKlive se periudha e aplikimit do të zgjasë deri më 29 të këtij muaji, derisa ka treguar arsyet pse refuzohet një aplikues, transmeton Albinfo.ch.
Deri më tani (e diel, 3 gusht, ora 09:00) përmes platformës elektronike janë pranuar 1,729 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,239, ndërkaq janë refuzuar 490. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës: dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.)”, sqaroi Elezi.
Por, zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës nuk është përjashtues. Kjo, pasi që, sipas tij, një aplikues i refuzuar mund të riaplikojë pasi t’i ketë plotësuar kriteret e kërkuara nga KQZ-ja.
“Në rastet kur refuzohet një aplikim, ky nuk është refuzim përfundimtar. Në këto rrethana, KQZ do të informojë rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, sqaroi tutje Elezi.
Por, në komunat ku potencialisht mund të ketë balotazh, a duhet të bëhet sërish regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës? “Jo”, tha zëdhënësi Elezi i cili sqaroi se për balotazh do të vlejë regjistrimi i votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, të drejtën e votës jashtë Kosovës e kanë vetëm votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit dhe të atyre komunave në të cilat do të organizohet rrethi i dytë. Pra, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, sepse do të vlejë lista e njëjtë e votuesve”, tregoi ai.
Ka ripërsëritur se në zgjedhje lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë vetëm përmes postës.
“Ky ligj specifikon qartë se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh. Pra, do të ketë vetëm votim me postë dhe për këtë KQZ-ja do të hap kuti postare në shtete të ndryshme, ku do të mund të dërgohet pako me fletëvotime”, tha Elezi.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shtuar se deri më 29 gusht të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi për regjistrim, duhet të jetë individual dhe mund të bëhet: përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë./Albinfo.ch
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur... -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi
Jeta në Zvicër
-
Produktet vegane dhe vegjetariane në Zvicër po ofrohen më pak, por kërkesa mbetet e lartë Rritja fillestare e disponueshmërisë së produkteve vegane dhe vegjetariane në supermarketet zvicerane po qetësohet. Migros ka... -
Punëtori i ndërtimit bie në kafazin e ashensorit, plagoset rëndë -
Prokuroria e St. Gallenit ndëshkon një pasagjer treni për racizëm -
Taksa Kantonale e Aargaut do të ulet me 8 pikë përqindjeje -
Nigeriani padit në Strasburg policinë e Cyrihut










