Të tjera
Krokatja e sorrave

Marrja e metrosë në Lozanë të Zvicrës është një ndër gjërat më normale për t’u bërë pa shumë përpjekje. Hyrja në metro është si ato gjëra që përsëriten vazhdimisht dhe fjala “vetëdrejtim” merr kuptimin e saj të plotë, sidomos duke ditur që metroja nuk ka staf fizik për ngasje dhe që gjithçka është e automatizuar nga distanca.
Rrethi ku jetoj ndodhet në pjesën veriore të qytetit dhe e veçanta e metrosë është se e lidh këtë pjesë të qytetit me liqenin Leman. Edhe pse distanca nuk është e madhe, një veçori tjetër është se terreni nga liqeni deri në këtë pjesë veriore të qytetit është shumë i pjerrët dhe me një ndryshim të madh në lartësi mbidetare. Ndërsa liqeni i Gjenevës është 320 metra mbi nivelin e detit, lagjja ku unë jetoj është gati 700 metra mbi nivelin e detit. Dhe, kjo distancë ka edhe veçantinë e saj… ndodh shpesh që në lagje të bjerë borë, ndërsa në qendër të Lozanës apo pranë liqenit nuk ka fare reshje bore. Lartësia e lagjes ku jetoj në Lozanë përkon me lartësinë e lagjes ku jam rritur në Prishtinë, në lagjen Kodra e Diellit.
Si çdo mëngjes, marr metronë për të arritur në zyrën time në qendër të qytetit, që do të thotë se zbres në stacionin Riponne, mu në zemër të Lozanës. Nëse qyteti i Lozanës do të duhej të ketë një defekt, është se ai nuk ka një shesh që bën të vëresh qartë se gjendësh në qendër të qytetit. Sot në mëngjes, ndërsa kujtimet e mia fluturonin gjithandej ndërsa ecja rrugëve të qytetit, vendosa të zbres një ndalesë më herët për të shijuar pamjet dhe tingujt e qytetit. Kështu që zbrita në stacionin Bessières, që lidh dy urat dhe që në vetvete është një kryevepër e ndërtimit të metrosë, e cila gjarpëron midis urave dhe zbret disa metra nën tokë.
I ftohti më kap dhe më kthen në realitet. Një realitet që ka të bëjë me rrugëtimin tim edhe në aspektin ndërtimor, që fakti i thjeshtë i të qenit dëshmitar i ndërtimit të kësaj metroje tregon faktin që kam kaluar më shumë vite në Lozanë se sa në Prishtinë.
Ndërsa filloj të shpejtoj hapat, po në këtë moment dëgjoj krokatjen e sorrave. Në raste të tjera nuk do të më kishin bërë përshtypje, por në qendër të Lozanës nuk kam dëgjuar kurrë një kor sorrash duke krokatur… dhe qesha me vetvetën duke menduar se, më sa duket, edhe unë qenkam ende duke fluturuar në mendimet e mia.
Kjo krokatje sorrash më shpie në Prishtinë, e njohur për sorrat e shumta. Kështu që pyeta veten pse në Lozanë nuk ka sorra.
Me siguri se ka të bëjë me lehtësin për të gjetur ushqim. Derisa sorrat e Prishtinës arrijnë të ushqehen më lehtë në lagjet e ndryshme të qytetit, sorrat e Lozanës sigurisht që duhet të zhvendosen në zonat rurale.
Të gjitha qeniet njerëzore, qofshin kafshë, shpendë apo njerëz, kanë aftësinë e përshtatjes. Më duket se qasja në ushqim është një nga faktorët që na detyron të përshtatemi më lehtë. Pra, gjithashtu, qasja më e lehtë në ushqim prodhon në të njëjtën kohë një klasë parazitësh tek njeriu, kafshët apo zogjtë. Kushtet e vështira kanë treguar se shumë popuj janë detyruar të tregohen më zbulues dhe vizionarë, dhe kjo gjë dëshmohet kur vështrojmë Evropën Veriore dhe Evropën Jugore. Me që qasja në ushqim ka qenë me e lehtë në jug, këto vende janë shumë më pak të zhvilluara se ato të Veriut.
Çdo hap që bëj në drejtim të punës ngadalsohet për t’u dhënë mundësi mendimeve të mia të përshpejtohen dhe më përpëlitet ngjarja që kam dëgjuar pas lufte në Kosovë, kur në një takim pune, në qeverisjen lokale në Prishtinë, ku diskutohej në prani të shumë përfaqësuesve të UNMIK-ut për çdo gjë sikur të ishte Prishtina një tokë e re dhe temë diskutimi ishte Stema e Prishtinës.
Siç tregohet, ishte një numër i madh pjesëmarrësish dhe biseda ishte e mbushur me propozime, të cilat nuk kishin peshë dhe aty, me bindje të plotë dhe me shumë gëzim, fjalën e mori një anglez, i cili kishte përgatitur propozimin e tij në detaje, duke filluar nga teksti deri te prezantimi i logos me stemën.
Të gjithë të pranishmit duke parë seriozitetin e anglezit, me heshtjen e tyre, treguan një formë të respektit për momentin kur anglezi ngriti lart propozimin e tij për stemën e paraqitur në një format të letrës së madhe. Ngritja e anglezit në këmbë para komisionit, duke mbajtur në duar lart emblenën, ku figoronte bukur një sorrë, shkaktoi një shpërthim të njëtrajtëshëm të të qeshurave të forta, saqë anglezi mbeti tërësisht i shtangur nga ky reagim i shqiptarëve. Anglezi nuk e njihte simbolikën e sorrës, sepse në fakt, tek anglezët sorra ka simbolikë mitologjike të mirë…
Po si të bindesh anglezin që shqiptari identifikohet me shqiponjën?
Ai kishte vizituar të gjitha trojet shqiptare dhe nuk kishte gjetur ndonjë institut për mbrojtjen e shqiponjës, nuk kishte gjetur ndonjë përshkrim të qartë nga Muzeu Kombëtar për rëndësinë e shqiponjës. Gjithë simbolikën e shqiponjës e kishte hasur vetëm në këngët e shqiptarëve.
Anglezi, i cili kishte qenë i bindur se propozimi i tij do të pranohej, u ballafaqua me një «humbje», e cila i shkaktoi një lloj depresioni. Në fakt, ishte hera e parë në karrierën e tij, si misionar në shtete të ndryshme, të pësojë një tallje e përqeshje publike. Prandaj, për disa ditë ai nuk u paraqit fare në punë dhe, për të harruar në një formë më të mirë këtë «humbje», filloi të shëtisë nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës dhe, kudo që shkonte, hasej me propozimin e tij: një tufë sorrash. Dhe një ditë, duke ecur ngadalë, arriti pa e ditur se ku ishte…në hyrje të Prishtinë në drejtim të Ferizajit, te rrethrrotullimi i madh… I lodhur, i mërzitur e i etur, u ndal pak. Dhe kjo pauzë i mjaftoi për të ngritur kokën lart për të parë një flamur të madh shqiptar…Kjo përplasje e vështrimit të tij me flamurin shqiptar sikur i ndihmoi të rimarrë veten, duke i shkaktoi një qeshje me ironi para se të vazhdojë ecjen drejt qendrës.
Unë hyra në zyrë dhe nuk prita që dikush nga kolegët të më pyesë për krokatjen e sorrave…
E-Diaspora
-
Në Gjykatën Federale Penale
6 shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë akuzohen për terrorizëm Gjashtë të akuzuarit (26 deri në 33 vjeç), janë shtetas të Kosovës apo Maqedonisë, njëri është...
-
Shqiptarët në vitin 2022, rekord aplikimesh për azil në Britani
-
Dy shkolla shqipe hapen në Itali
-
Në Britani rekord kërkesash për azil në 2022, në BE niveli më i lartë në tri vjet
-
Filmi i regjisores nga Kosova shfaqet në Bruksel
Jeta në Zvicër
-
Fillimi i jetës në një vend të huaj: Zvicra e kalon Austrinë dhe Gjermaninë Një renditje e re ndërkombëtare ka bërë që Zvicra të renditet mbi fqinjët e saj gjermanishtfolës,...
-
Posta në Bernë paguan 10,000 CHF në muaj që punëtorët të shkojnë në punë me taksi
-
Lucern: Dënohen babë e mirë, mashtruan me kredi urgjente të Covid-it për 365 mijë CHF
-
Probleme teknike me shërbimet online të CS
-
Sondazhi në Zvicër, cila parti ka rënë më shumë