Maqedonia
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, cilat do të jenë kompetencat e Talat Xhaferit
Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi, përcjell albinfo.ch.
Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.
Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Bëhet fjalë për Qeverinë teknike, e cila parashihet me Ligjin për zgjedhjet dhe si detyrë kryesore ka organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe opozita maqedonase me dy ministra dhe tri poste të zëvendësministrave.
Por, Naser Ziberi, që tani është në postin e Avokatit të Popullit, thotë se më mirë do të kishte qenë që BDI-ja të pajtohej me një propozim të OBRM-PDUKM-së për anulimin e Qeverisë teknike, në 100 ditët e fundit të punës së ekzekutivit, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapej rruga për marrjen e një kryeministri politik, apo me kompetenca të plota.
“Unë, personalisht, kam menduar se meqë nuk u arrit që mandati i kryeministrit shqiptar të jetë së paku një apo edhe dy vjet, atëherë të pranohej propozimi i OBRM-PDUKM-së, që të hiqet Qeveria teknike si obligim ligjor që në tre muajt e fundit të mandatit kryeministri i deritashëm të japë dorëheqje dhe qeveria në vazhdim të jetë teknike me përfshirjen edhe të përfaqësuesve të opozitës në të. Pse e them këtë? Sepse kam menduar se po të hiqej kjo dhe të respektohej marrëveshja, atëherë kryeministri i ardhshëm shqiptar do të ishte me kapacitet të plotë, e jo teknik”, thotë Ziberi.
Sipas tij, është mirë që kryeministër shqiptar do të ketë për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, por kapaciteti i tij do të jetë i kufizuar.
“Fakti se ai do të jetë konform asaj që parasheh Ligji për qeverinë, atë e bën të hendikepuar, respektivisht me kapacitet të cunguar, që do të thotë se ajo qeveri nuk është politike por teknike. Pra, kapaciteti i saj është i reduktuar dhe kjo lë për të dëshiruar. Nuk është kryeministër me kapacitet të plotë”, thotë Naser Ziberi, ish-kandidat për kryeministër nga radhët e BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020.
Por, pavarësisht kësaj, BDI-ja në të gjitha paraqitjet në opinion, caktimin e Talat Xhaferit për kandidat për kryeministër të Qeverisë teknike, e ka vlerësuar si një nga “arritjet më të mëdha”, pas kryetarit shqiptar të Kuvendit, që ishte Talat Xhaferi, por edhe ministrave shqiptarë të Punëve të Brendshme, Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme.
Opozita maqedonase që kryesohet nga OBRM-PDUKM-ja, ka thënë se nuk do të votojë për zgjedhjen e Talat Xhaferit, pasi e akuzon për “shkelje të shumta ligjore” gjatë punës si kryetar i Kuvendit.
E-Diaspora
-
Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe LAPSH mbetet i përkushtuar që mësimi plotësues të jetë i unifikuar, i qëndrueshëm dhe në shërbim... -
KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar -
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet
Jeta në Zvicër
-
Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës Pasagjerët do të jenë në gjendje të mbajnë lëngje në bagazhet e tyre të dorës fillimisht... -
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026













