Lajme

Kryeministri italian kërkon reformim të Bashkimit Europian

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, thotë se institucionet e Bashkimit Europian duhet të reformohen, në mënyrë që të jenë në gjendje për të adresuar krizat me të cilat po përballet aktualisht.

Teksa iu drejtua me një fjalim të martën Parlamentit Europian në Strasburg, Draghi u shpreh se vendet anëtare duhet të marrin në konsideratë ndryshimin e traktateve për t’u bërë ballë sfidave me të cilat lidhet edhe agresioni rus në Ukrainë.

“Institucionet e Bashkimit Europian, të cilat u ndërtuan përgjatë dekadave, u shërbyen qytetarëve europianë, por tashmë janë të papërshtatshme për realitetin në të cilin jetojmë. Nëse kjo kërkon që ne të rishikojmë traktatet, atëherë kjo duhet bërë me guxim dhe kurajo”, u shpreh kryeministri italian gjatë fjalës së tij.

Draghi dëshiron që Italia të jetë në krye të reformimit të institucioneve të Bashkimit Europian.

Ai gjithashtu identifikoi parimin e unanimitet si një fushë kryesore ku nevojitet reforma.

“Një Europë që është e aftë të vendosë me shpejtësi, është një Europë që është më e besueshme në lidhje me qytetarët e saj dhe botën”, përfundoi Draghi./Euronews