Sport

Kukeli në kombëtaren shqiptare

Mesfushoi i Cyrihut debuton të premten një javë në ndeshjen Shqipëri - Qipro. Vetëm katër ditë më vonë vjen sfida e madhe: Zvicër-Shqipëri

Në serinë prej disa shkrimesh me ton vajtues lidhur me “mangësinë e patriotizmit zviceran” të disa futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, portali blick.ch ka shtuar edhe një të tillë. Lojtari i FCZ, Burim Kukeli mund të bëhet, sipas këtij portali, personi që “do t`i dalë në rrugë” kombëtares zvicerane në ndeshjen Zvicër – Shqipëri që do të luhet më 11 shtator në Lucern. Kjo pritet të ndodhë për faktin se Kukeli duket të jetë në kontakt me federatën shqiptare të futbollit për tu angazhuar për të. “Po, ne jemi në kontakt. Gëzohem jashtë mase, pasi që kjo është mirënjohje përe rezultatet e mia”, ka thënë Kukeli 28 vjeçar për portalin zviceran.

Mesfushoi shqiptar i Cyrihut do të debutojë të premten një javë në ndeshjen Shqipëri – Qipro. Dhe vetëm katër ditë më vonë vjen sfida e madhe: Zvicër-Shqipëri. Pikërisht në Lucern, ku Kukeli deri pak muaj më parë ka qenë lojtar i rregullt për skuadrën e atij qyteti. Por, aktualisht ai nuk ka të drejtë të luajë për Shqipërinë pasi që tash për tash ka vetëm pasaportë të Kosovës, ndërsa atë të Shqipërisë pritet ta marrë së shpejti.

Kukeli, i cili, siç e thotë blick.ch është “më zviceran se shumë sish që janë të lindur në Zvicër”, ka ardhur në këtë vend në moshën 4 vjeçare. Me debutimin në një ndeshje të tillë do ta kurorëzonte atë që quhet karrierë prej pjatalarësit që është bërë futbollist i suksesshëm. Sepse Kukeli deri në vitin 2006, mkur ishte në ligën e tretë, vazhdonte të punonte si depoist i pijeve Rivella në Rothrist AG.