Lajme
Kur jeta rrëfehet përmes letrave
Kritika Letrare: "The Correspondent" – Virginia Evans
Në një kohë kur në WhatsApp, TikTok, Instagram apo Facebook shkruajmë mesazhe të shkurtra, me fraza të paqarta dhe përgjigje që shpesh nuk kanë as fjalë, por vetëm emoji, ky libër na rikujton se sa e rëndësishme është të shkruajmë letra të thurura gjatë dhe të menduara mirë. Ai na fton t’i shkruajmë njerëzve që i duam, atyre që jetojnë larg apo afër, me kujdes të veçantë, por edhe atyre që shpesh i lëmë jashtë komunikimit të përditshëm, për të krijuar kështu lidhje më të forta shoqërore.
“The Correspondent”, libri debutues i Virginia Evans, i botuar në vitin 2025 dhe i përfshirë në listën New York Times Best Seller, është një rrëfim i treguar tërësisht përmes letrave. Suksesi i papritur i shkrimtares erdhi pas një rrugëtimi të gjatë e aspak të lehtë; ajo kishte shkruar edhe tetë libra të tjerë më parë, por asnjë prej tyre nuk arriti të zinte vend në raftet e librarive.
Natyra epistolare e rrëfimit, ku mungon narratori klasik, nuk lejon gjithmonë narracion apo mendime shumë të thella personale, ato që zakonisht zhvillohen vetëm si biseda të heshtura me veten. Megjithatë, romani e kapërcen këtë kufizim përmes personazheve dhe përditshmërive të tyre të ndryshme, duke na zbuluar nga një copëz historie me çdo letër apo email që lexojmë. Na bënë të ndjehemi pjesë aktive e rrëfimit. Dalëngadalë, edhe përmes interpretimit tonë si lexues, shpaloset një rrjet i ndërlikuar marrëdhëniesh dhe dinamikash njerëzore, ku e shkuara dhe e tashmja gërshetohen në mënyrë të jashtëzakonshme.
Personazhi kryesor i romanit, Sybil Van Antwerp, një grua në të 70-at, e ka përdorur gjithmonë letrën edhe si mjet komunikimi, por edhe si një mënyrë për të kuptuar më mirë kompleksitetin e botës. Ajo jeton një jetë të qetë, pa ndonjë ndodhi të madhe, duke e kaluar kohën kryesisht e zhytur në reflektimet e së shkuarës.
Në korrespondencat e para, ne zbulojmë jetën e një gruaje që dikur shërbeu si avokate dhe këshilltare gjyqësore, një profesion i cili, ndonëse i dha sukses, ia komplikoi shpesh jetën dhe e ngarkoi me humbje e pendime të shumta. Janë pikërisht këto situata që i japin thellësi karakterit të saj, por edhe romanit.
Shkrimtarja na bën ta shohim Sybil-in jo si një gjyshe të lezetshme, por si një grua ambicioze me karakter të fortë. Ajo jeton e vetme, shpesh i vë në mëdyshje vendimet e të tjerëve dhe nuk do bujë të madhe për festa e ditëlindje. Ndonëse nuk na paraqitet gjithmonë e lehtë për t’u dashur, shkrimtarja arrin gjithsesi të na mbërthej ashtu që edhe ne pothuajse menjëherë krijojmë një lidhje emocionale me Sybil-in, duke qëndruar pranë saj jo vetëm kur ajo kalon momente dhimbjeje e malli, por edhe kur gabon e shfaq një personalitet kryeneç e të vrazhdë.
Edhe pse Sybil-i, në këtë moshë të shtyer, dhe një jetë të pasur me përvoja, janë ndodhitë që pasojnë pas pensionimit ato që e nxjerrin nga izolimi i saj gjeografik dhe emocional. Përmes njerëzve që i njohu dikur dhe që i kishte mbajtur përherë në zemër, ndonëse në distancë, si dhe të tjerëve që hyjnë rishtas në jetën e saj, ajo gjen forcën ta thotë të vërtetën dhe ta përqafojë botën sërish, duke zgjedhur të falë të tjerët dhe, mbi të gjitha, veten.
Mënyra se si karakteret zhvillohen, ndryshojnë dhe se si e gjejnë guximin për t’u përballur me ndodhitë e jetës mbi të cilat nuk kanë kontroll, na kujton se ndryshimi është i mundur, e ndonjëherë edhe i domosdoshëm, edhe kur ndjehemi se jemi plakur. “The Correspondent” na nxit të ngadalësojmë hapin dhe të kthehemi te shprehitë që na plotësojnë, duke u larguar nga ato që në dukje na mbajnë të zënë, por që përbrenda na lënë bosh.
Pritë Bytyçi
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Turne shahu në Vjenë për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës Me një turne shahu, të pesëdhjetin me radhë që nga themelimi, në ambientet e Federatës së... -
Zvicër
Entela Zhuta, një inxhiniere lidere në Energjetikë dhe IT -
Konsullata e Kosovës në Cyrih shënon 18-vjetorin e Pavarësisë mes diplomacisë dhe tingujve të Elina Dunit -
Londër
Londra nderon 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me pritje diplomatike -
Romë
Ambasada e Kosovës në Romë shënon 18-vjetorin e Pavarësisë
Jeta në Zvicër
-
Polarizimi politik në rritje në Zvicër që nga viti 1990 Shenjat e tensionit kanë qenë të dukshme që nga vitet 1990... -
Politikanët zviceranë sfidojnë qëndrimin e OBSH-së mbi alkoolin -
Zvicër
Entela Zhuta, një inxhiniere lidere në Energjetikë dhe IT -
Engineers’ Day në EPFL: Një urë mes studentëve dhe profesionistëve shqiptarë në Zvicër -
Konsullata e Kosovës në Cyrih shënon 18-vjetorin e Pavarësisë mes diplomacisë dhe tingujve të Elina Dunit
















