Tematike

Kur shqiptarët do të jenë të integruar sa italianët!

"Shumë veta po punojnë për një gjë tillë. Por për shqiptarët është kjo një sfidë e përditshme, të cilës ata duhet t`i dalin në krye"

Në një opinion të botuar në Politblog, platformë interneti me të cilën lidhen gazetat si: 24heures, Tages Anzeiger, Basler Zeitung, Berner Zeitung etj. Grégoire Nappey, zëvendëskryeredaktor i gazetës 24heures merret me problemet rreth integrimit dhe imazhit të shqiptarëve në Zvicër.

Shqiptarët dhe njerëzit tjerë të ardhur nga ish Jugosllavia në Zvicër, janë sot në vendin tonë, të tillë çfarë kanë qenë italianët, portugezët ose spanjollët dikur: të huaj të padashur dhe pjesërisht madje edhe të urryer. Natyrisht, racizmi dhe urrejtja për të huajt, të drejtuara kundër grupeve të veçanta etnike janë vështirë të krahasueshme. Mirëpo ka megjithatë ngjashmëri në mënyrën se si këta të huaj perceptohen nga vendësit. Kështu, tepër shpesh transmetohet figura e njerëzve nga vendet e Ballkanit si njerëz që vihen në lidhje me delikuencën dhe pasigurinë.

Për faktin se është krijuar një përshtypje, perceptim i tillë, “duhet ditur për nderë” edhe medieve”, vazhdon Nappey. Sipas tij një pakicë e vogël delinkuente e ndot namin e një grupi të tërë etnik. “ndërsa në raste të tilla harrohet masa e madhe e madhe e njerëzve të atij grupi, që jetojnë në paqe dhe të integruar në këtë vend, ku punojnë, mësojnë dhe konsumojnë”.

Pastaj autori shkoqit arsyet që shërbejnë për të krijuar klishetë negative që lidhen me shqiptarët dhe ballkanasit tjerë në Zvicër. “Diskriminimi social përmes klisheve si `të gjithë janë hajna, trafikantë dhe vrasës` lidhet me frikën e shpërndarë se `ata po na i marrin vendet e punës`. Kjo ndjenjë gjendet te zviceranët po aq sa edhe te të huajt që jetojnë prej dy ose tre brezash në Zvicër.

 

– Mendime të betonuara

 

Se këta njerëz me të cilët ata lidhin frikën dhe paragjykimet e tyre janë refugjatë politikë ose ekonomikë, duket të mos ketë shumë rëndësi. Mendimet tashmë janë formësuar: ata po pretendojnë tepër shumë vend. Ata po na marrin diçka”, thuhet më tutje në tekst. Autori konstaton se si takon përgjegjësisë së zviceranëve që të luajnë rolin kryesor në integrimin e të huajve, “madje të të gjithë të huajve”.

Më tej autori Nappey zhvillon tezën e ngritur që në titull, sipas të cilës shqiptarët sot kanë zënë vendin e italianëve, si të huaj të urryer nga zviceranët. “Para 30 ose 40 vitesh ishin veçanërisht italianët ata të cilët duhej të duronin shikimet jomiqësore madje dhe urryese të zviceranëve të caktuar. Por “Maurot” e dikurshëm sot kanë emrin “Blerim”. Ndërkaq po ata italianë janë sot ndonjëherë më zviceranë se disa zviceranë dhe argumentojnë për integrimin e suksesshëm në Zvicër.

Ndërkohë në asambletë komunale, po hyjnë në rend dite votimet për dhënien e shtetësisë zvicerane shqiptarëve. Dhe, konstaton autori, nuk është e këndshme kur në fletëvotime të fshehta në mënyrë qyqare dikush shkruan një “Jo”.

“Ne i njohim keq, shqiptarët. Ky popull që përkufizohet përmes gjuhës dhe jo përmes një shteti të caktuar, vjen, para së gjithash nga Kosova, nga Maqedonia ose nga Serbia. Prania e tyre në Zvicër nuk është vetëm nga vitet 90 e tutje. Që para një gjysmë shekulli kishin ardhur të parët nga ata në Zvicër. Por u bënë të njohur pas luftërave në ish Jugosllavi – një shkak ky për emigrimin e tyre masiv”.

– “Edhe shqiptarët një ditë do të bëhen pjesë e vetëkuptueshme e vendit tonë”

 

Autori sërish i kthehet nevojës që shteti të ndërmarrë më shumë për integrimin e shqiptarëve. Dhe prapë i kthehet analogjisë me italianët e dikurshëm. “Ata janë sot pjesë e Zvicrës. Në politikë mund t`i gjesh në kampin e majtë ose të djathtë. Askush nuk pyet për prejardhjen. Edhe shqiptarët një ditë do të bëhen pjesë e vetëkuptueshme e vendit tonë. Por kjo mund të ketë sukses nëse të gjithë do të angazhohen në atë drejtim. Shumë veta tashmë po e bëjnë këtë. Edhe zviceranë. Por për shqiptarët është kjo një sfidë e përditshme, të cilës ata duhet t`i dalin në krye.

Në përmbyllje autori përkujton lexuesit se më 14 qershor në Bernë Albinfo.ch në bashkëveprim me platformën Politblog organizohet një tryezë e rrumbullakët. Është ky një rast për t`ua përkujtuar njerëzve se ky grup etnik me pothuaj 250 mijë pjesëtarë (1 në 30 banorë të Zvicrës!) është ndër më të mëdhenjtë në Zvicër.

Në tryezën e përmendur, e cila do të zhvillohet në gjuhën frënge dhe gjermane, Grégoire Nappey do të ketë rolin e njërit ndër moderatorët.

Se sa është i sensibilizuar opinioni zviceran me problematikën shqiptare, për të cilën bën fjalë artikulli i përfolur më lartë, tregon më së miri fakti se vetëm pak orë pas publikimit të tij, në blog tashmë janë paraqitur afër 200 komente të lexuesve. Shumica e komentuesve – duke pasqyruar kështu besnikërisht imazhin që “gëzojnë” shqiptarët – shprehen kundër autorit, ndonëse me një gjuhë kryesisht të matur. Por ka megjithatë edhe mjaft zviceranë dhe të tjerë (aty këtu edhe ndonjë shqiptar) që mbështesin autorin Nappey në qëndrimet e tij pozitive kundrejt komunitetit tonë.

Argumente si religjioni, kultura, kanuni etj. u shërbejnë atyre që duan të kontestojnë në mënyrë të thjeshtëzuar qëndrimin e autorit për ngjashmërinë në mes të të ardhurve italianë dhe shqiptarë në Zvicër. Ndërkaq ata që përkrahin mendimin e Nappey-t ua përkujtojnë të parëve edhe disa veçori të italianëve, që kanë shërbyer si klishe për namin jo të mirë të tyre. Këtu hyn kryesisht mafia dhe organizatat tjera të krimit të organizuar.