Kosova

Kurti ka biseduar me Macronin edhe për rolin e NATO-s në Kosovë

Ai ka bërë të ditur se me Macronin kanë diskutuar për rolin e NATO-së në Kosovë, angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian etj.

Pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se i ka kërkuar mbështetjen e Francës për rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata ndërkombëtare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

“Nga Presidenti Macron kërkova mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se me Macronin kanë diskutuar për rolin e NATO në Kosovë, angazhimin e misioneve të Bashkimi Evropian, si dhe për përkushtimin e Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Për rreth dy orë diskutuam për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian, si dhe për përkushtimin e Republikës së Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, është shprehur ai.

Sipas Kurtit, në takim janë ngritur edhe çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë.

“Gjithashtu, në takim ngrita çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë”, ka deklaruar Kurti, duke falënderuar presidentin Macron për pritjen dhe mbështetjen e Francës ndaj Kosovës.