Lajme
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit
Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”
Cyrih – Sonte, në një tubim elektoral të mbajtur në Cyrih me mërgatën shqiptare në Zvicër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mbajti një fjalim të gjatë, të strukturuar dhe programor, që shpalosi jo vetëm vizionin politik të qeverisë së tij në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, por edhe një narrativë të gjerë historike, institucionale dhe identitare mbi rolin e diasporës shqiptare. Tubimi i mbrëmjes u hap me një pjesë muzikore dhe u zhvillua në një atmosferë mobilizuese, me pjesëmarrje të gjerë të bashkatdhetarëve.
Që në hyrje të fjalimit, Kurti e vendosi tonin simbolik të mbrëmjes duke iu referuar energjisë së mërgatës në Zvicër. “Zvicra është midis Alpeve të Evropës, por këtu bëhet edhe më nxehtë se në vendlindjen tonë në Kosovë”, tha ai, duke falënderuar të pranishmit që kishin ndarë kohë nga pushimi, studimet dhe puna për t’u bërë bashkë në Cyrih. Ai theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vetëm pak ditë larg dhe se ato përbëjnë një moment vendimtar për të ardhmen politike të Kosovës, duke iu referuar pritshmërive për një fitore të radhës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një pasazh të gjerë të fjalimit, Kryeministri u ndal te kontributi historik i diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë të pandashëm nga vetë historia e Kosovës. “Ne asnjëherë nuk e harrojmë sa shumë ka dhënë mërgata për vendlindjen – në okupim, gjatë luftës çlirimtare, në mbijetesën sociale, por edhe për zhvillimin ekonomik, demokratizimin, pavarësimin e Kosovës dhe reputacionin e saj ndërkombëtar”, u shpreh Kurti. Ai rikujtoi edhe sakrificën e dhjetëra dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që erdhën nga diaspora, duke theksuar se emra si Agim Ramadani apo Fehmi Lladrovci mishërojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes mërgatës dhe lirisë së Kosovës.
Cyrihu, sipas Kurtit, nuk përfaqëson largësi nga Kosova, por një nga format konkrete të pranisë së saj në botë. “Cyrihu nuk është larg Kosovës; është njëra nga mënyrat sesi Kosova jeton në botë”, tha ai, duke e përshkruar mërgatën jo si kujtim të ikjes, por si dëshmi të qëndrueshmërisë. “Ju jeni integruar pa u tretur. Shqiptarët janë të shpërndarë gjithandej, por kurrsesi të shpërbërë”, theksoi Kryeministri, duke e lidhur këtë realitet me ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe vetëdijes kolektive.
Një bosht qendror i fjalimit ishte raporti institucional i Qeverisë së Kosovës me diasporën. Kurti e artikuloi qartë qasjen e tij politike ndaj mërgatës: “Diaspora nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi”. Ai theksoi se profesionalizmi dhe përvoja e fituar nga mërgimtarët janë pasuri publike që duhet të bëhen pjesë e politikave ekonomike, sociale dhe kulturore të Kosovës. “Qeveria e Kosovës, qeveria juaj, e sheh mërgatën si partnerë dhe kurrsesi si spektatorë”, deklaroi ai, duke e vendosur këtë marrëdhënie në një nivel partneriteti strategjik.
Në këtë kuadër, Kurti shpalosi edhe programet konkrete për përfshirjen e diasporës, veçanërisht të të rinjve. Ai përmendi programet që u mundësojnë të rinjve të mërgatës të angazhohen për disa muaj apo deri në një vit në Kosovë, në fusha të ndryshme institucionale dhe profesionale. Sipas tij, këto programe jo vetëm që i lidhin të rinjtë me Kosovën, por i shndërrojnë ata në ura të fuqishme mes Kosovës, Zvicrës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe investimeve të diasporës. Kurti foli për paketën e dedikuar të investimeve me garanci shtetërore, duke theksuar se shteti i Kosovës është garantues për investimet e mërgimtarëve. “Shteti është garanci për kreditë dhe investimet tuaja”, tha ai, duke e cilësuar këtë mekanizëm si një mënyrë konkrete për ta shndërruar përvojën dhe kapitalin e diasporës në vende pune dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
Dimensioni kulturor dhe arsimor zuri një vend të rëndësishëm në fjalimin e Kryeministrit. Ai e vuri theksin te gjuha shqipe si themel i identitetit kombëtar.
“Para së gjithash dhe mbi të gjitha, ne jemi komb i gjuhës”, theksoi Kurti, duke bërë thirrje që gjuha shqipe të mos ruhet vetëm me nostalgji, por përmes arsimit. Ai ftoi prindërit në mërgatë që t’i regjistrojnë fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe në sistemin e gjendjes civile të Kosovës, duke e cilësuar këtë si parakusht për integrim pa asimilim dhe për garantimin e të drejtave qytetare të brezave të rinj.
Në përmbyllje të fjalimit të gjatë të mbajtur sonte në Cyrih, Kurti iu rikthye dimensionit politik dhe organizativ të diasporës. Duke cituar Faik Konicën, ai foli për nevojën e kalimit “nga ndjenja e fortë kombëtare te vetëdija e lartë kombëtare”, duke bërë thirrje për një nivel më të lartë organizimi dhe bashkëveprimi të mërgatës shqiptare. Mesazhi përfundimtar i tubimit ishte i qartë: diaspora nuk është vetëm pjesë e së kaluarës së Kosovës, por një aktor kyç i së tashmes dhe i së ardhmes së saj politike dhe zhvillimore, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Vjenë
Autopsia e viktimave kosovare në Vjenë nis pas aksidentit tragjik në kantier Hetimet vazhdojnë në Vjenë, autopsia e trupave të tre kosovarëve... -
Në mesin e viktimave në Vjenë është edhe një ish-veteran i UÇK-së -
Tragjedia në Austri, Ministria e Diasporës: Po koordinohemi me familjarët për kthimin e trupave -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë, Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri shpreh dhimbje dhe solidaritet -
Kurti: Të tronditur nga tragjedia në Austri, tre viktima janë shtetas të Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Çmimet në Migros dhe Coop nën lupë: A po mashtrohen konsumatorët nga etiketimet Autoritetet zvicerane kanë ndërmarrë veprime ndaj zinxhirit të supermarketeve Migros, pas shqetësimeve për mënyrën e paraqitjes... -
Aksident tragjik në Zvicër: rrëzohet teleferiku në Titlis, humb jetën një grua -
Debat i ashpër për pagën minimale në Zvicër, votim i rëndësishëm në Vaud -
Crans-Montana: Viktimat e zjarrit nuk mundën të shpëtonin për shkak të daljes së bllokuar -
Çfarë ndryshon në Zvicër nga prilli 2026















