Kosova

Kurti viziton Kombëtaren para finales së play-off-it për Botërorin 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi kampin e Kombëtares së Kosovës për të përgëzuar ekipin pas arritjes në finalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i dhënë mbështetje para sfidës ndaj Turqisë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, falënderoi kryeministrin, ministrin e Sportit, Blerim Gashiani, dhe zëvendësministren Daulina Osmani për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.

Gjatë fjalës së tij, Kurti i uroi Dardanët për fitoren historike në Bratisllavë dhe vlerësoi rrugëtimin e tyre deri në finale si plotësisht të merituar. Ai theksoi se miliona shikues në mbarë botën ndjekin këtë ngjarje dhe se Kombëtarja ofron mundësinë për të vendosur Kosovën dhe talentin e saj në arenën më të madhe.

“Përmes juve si ekip, kemi mundësinë ta vendosim Kosovën dhe historinë e saj të qëndresës e talentit në sytë e mbarë njerëzimit. Kjo mbështetje masive është forca juaj dhe merreni me vete në fushë. Besimin për fitore e keni ndërtuar ju si ekip, me trajnerin dhe gjithë stafin udhëheqës dhe mbështetës,” tha Kurti.