Lajme

Kush është presidenti i ri i Zvicrës? Portreti i Guy Parmelin

Guy Parmelin është presidenti i ri i Zvicrës. Një njeri i thjeshtë, me dhimbje shpine si shumë të tjerë, pa nevojë për protokoll të tepërt e pa dëshirë për t’u vënë në qendër të vëmendjes. Shpesh me këmishë me mëngë të shkurtra dhe çantën e vogël në brez, ai nuk i ngjan figurës klasike të një politikani ambicioz. Dhe pikërisht kjo e bën të veçantë, shkruan albinfo.ch.

Për vite me radhë, shumëkush është pyetur: kush është në të vërtetë Guy Parmelin?

Një politikan që nuk flet shumë, nuk premton me zë të lartë dhe nuk kërkon duartrokitje. Dhjetorin e kaluar, një gazetë zvicerane e ndoqi nga afër ministrin e Ekonomisë në një moment delikat. Dosja e marrëveshjes me BE-në kërkonte një kompromis të vështirë mes partnerëve socialë. Në të njëjtën kohë, Parmelin vuante nga dhimbje të forta shpine dhe mezi lëvizte. Portreti ishte ai i një njeriu që lodhej, por nuk dorëzohej. Pyetja ishte e thjeshtë: a do t’ia dalë?

Kur qetësia shpërblehet

Disa muaj më vonë, përgjigjja erdhi vetë. Me përballjen e re doganore me Shtetet e Bashkuara, Guy Parmelin u vu sërish në provë. Negociatat ishin të vështira, presioni i madh. Por ai arriti marrëveshjen – dhe Parlamenti e shpërbleu me një votim rekord: 203 vota. Një shenjë besimi për një njeri që zakonisht qëndron një hap prapa skenës.

Njeriu i zakonshëm në krye të vendit

Sot, në krye të Zvicrës qëndron një njeri që nuk do të quhej kurrë “yje i politikës”. Ai flet gjuhë të huaja pa shkëlqim, nuk ka prirje për spektakël dhe më shumë i ngjan një “babai të qetë të vendit” sesa një strategu të ftohtë. Por ata që e njohin nga afër thonë se Parmelin shpesh nënvlerësohet.

Në momente kyçe, ai di të gjejë zgjidhje. Gjatë pandemisë, ishte ndër arkitektët e ndihmave financiare që shpëtuan shumë biznese. Sot, sërish, ai shihet si njeri që vepron pa zhurmë, por me ndjeshmëri për realitetin.

Jo perfekt, por i qëndrueshëm

Sigurisht, jo çdo gjë i ka shkuar mbarë. Në disa fusha, si politika e banesave, zgjidhjet mungojnë ende. Edhe departamenti që ai drejton nuk është nga më të fuqishmit, dhe stili i tij i matur ndonjëherë perceptohet si mungesë dinamike. Por për shumëkënd, kjo është pjesë e karakterit të tij: më pak premtime, më shumë qëndrueshmëri.

Pas çdo burri të qetë…

Një rol të rëndësishëm në sukseset e fundit të Parmelin luan edhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Helene Budliger Artieda. E përshkruar si po aq tokësore dhe pragmatike sa ai vetë, ajo është një nga figurat kyçe në negociatat më të rëndësishme ekonomike të Zvicrës.

Afër fundit, por jo pa gjurmë

Në pushimet e tij, Parmelin lexon për sportistë olimpikë dhe shijon Asterix-in – detaje që e bëjnë edhe më njerëzor. Në moshën 66-vjeçare, ai i afrohet fundit të karrierës politike. Edhe pse vitin e ardhshëm do të jetë sërish president, është e qartë se kapitulli i fundit nuk është larg.

Por një gjë duket e sigurt: Guy Parmelin nuk do të kujtohet për fjalë të mëdha, por për qetësinë dhe punën e tij.

Lexoni po ashtu:

Guy Parmelin zgjidhet president i ri i Zvicrës me 203 vota – rezultat rekord