Kosova
Lajçak pret sot Bislimin e Petkoviqin në Bruksel
Brukseli do të jetë sot vend takimi i sërishëm i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, i ngarkuar për Integrime Evropiane dhe Dialog nga Qeveria e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i radhës do të ndërmjetësohet si zakonisht nga Miroslav Lajcak, emisar i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Ky takim pritet t’i paraprijë takimit të radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar të hënën drejt Brukselit.
Në këtë takim në nivel të kryenegociatorëve, do të diskutohet në lidhje me zbatimin e aneksit të Marrëveshjes së arritur në Ohër.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet, të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog.
BE-ja shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së, deklaroi se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Stano tha se presin nga të dyja palët “që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere, e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, si dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete”, dhe shtoi se “palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ”.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.
Stano e quajti takimin e së martës si “shumë të rëndësishëm”, ngase siç tha, “palët do të mblidhen për herë të parë që nga marrëveshja e Ohrit dhe do të diskutojnë pikërisht për hapat e nevojshëm për implementimin e obligimeve që dalin nga ajo marrëveshje dhe nga aneksi i saj”.
Takimi në Bruksel zhvillohet derisa ditëve të fundit në veri të vendit po digjen vetura me targa ‘RKS’, kurse Policia ka arrestuar një të dyshuar për kryerjen e akteve të tilla, të cilit gjykata ia ka shqiptuar 30 ditë paraburgim.
E-Diaspora
-
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Diasporën, i cili synon... -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau -
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres Koha e Krishtlindjeve sjell fluks të lartë udhëtarësh në aeroportet zvicerane. Aeroporti i Cyrihut pritet të... -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar -
Edhe Kantoni i Fribourgut thotë “jo” për telefonat celularë në shkollë










