Tematike

Lavdrim Sylejmani pretendon titullin Mister Zvicra 2012

Intervistë me kandidatin shqiptar për Mister Zvicra 2012

Në Zvicër do të zhvillohet gjatë muajit gusht konkursi i bukurisë “Mister Zvicër 2012”. Në këtë garë konkurrent është dhe shqiptari nga Kosova, Lavdrim Sylejmani. 23-vjeçari me prejardhje nga Gjilani krejt rastësisht kishte sfiduar veten me manekenizëm, ngase me profesion është ekonomist. Lavdrimi rrëfen në një intervistë për albinfo.ch për përvojën e fituar me titullin Miss Tesinë, por edhe për mundësitë që të marrë kurorën e Mister Zvicra 2012. albinfo.ch: Pse keni vendosur të hyni në këtë garë të bukurisë Mister Zvicra 2012? Lavdrim Sylejmani: Para 3 vjetësh kam konkurruar për Mister Tessin, ku edhe kam fituar titullin. Ishte një përvoje e shkëlqyeshme, ku pata mundësi të realizoj kontaktet e para me mediat, të njoftoj njerëz të rinj. Ky titull me dha emër dhe mundësi për të promovuar veten. Jam një tip që gjithmonë kërkoj diçka të re, që më jep vullnet të jam i angazhuar. Jam aventurier dhe shumë kureshtar. albinfo.ch: Si arritët të hyni në mesin e 14 konkurrentëve, ku në garë ishin edhe 100 të tjerë?Lavdrim Sylejmani: Prej se kam fituar titullin Mister Tessin, kam pasur dëshirë ta sprovoj veten edhe në nivel të Zvicrës. Isha në pritje të këtij momenti, në të cilin ndjehesha më i përgatitur: fizikisht, psikikisht dhe më pak i zënë. Si student, jam shumë fleksibël, mundem ta programoj javën ashtu si preferoj unë. albinfo.ch: Kur keni filluar të merreni me manekenizëm? Lavdrim Sylejmani: Si thashë më herët, krejt ka filluar në konkursin për Mister Tessin, në të cilin jam futur pasi shumë njerëz rreth meje më kanë përkrahur për në këtë aventurë. E dashura ime më së shumti prej të gjithëve më ka ndihmuar të kaloj me sukses këtë sfidë. albinfo.ch: Me kë shoqëroheni, a keni shok shqiptarë dhe a rrini më shumë me shqiptarë a me zviceranë? Lavdrim Sylejmani: Ne shqiptarët njihemi të gjithë mes vete, ngase shumica vijmë prej të njëjtit vend. Një nga shokët e mi më të afërt është shqiptar nga Gjakova. Por, në përgjithësi jam i hapur dhe kam dëshirë të shoqërohem me të gjithë. albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për bashkëmoshatarët e tuaj shqiptarë në Zvicër?Lavdrim Sylejmani: Shumica e zviceranëve nuk e kanë edhe ndonjë mendim shumë të mirë për shqiptarët. Mediat flasin më shumë për të këqijat sesa për të mirat. Kështu që jemi mësuar të dëgjojmë lajme jo edhe të mira për shqiptarët. Unë e njoh shtetin tim shumë mirë duke iu falënderuar j prindërve. Shqiptari është besnik me njëri-tjetrin, jemi shumë të hapur dhe të mirëpritur në krahasim me të tjerët. Por, gabimin që bëjnë bashkëmoshatarët e mi është ngase mbyllen mes vete dhe nuk shoqërohen me zviceranët. Duhet të kemi respekt për këtë shtet që na ka pritur me dyer hapur dhe po na ofron kushte të mira që në Kosovë nuk do t’i kishim pasur.albinfo.ch: Prej cilit vend nga Kosova vini ju dhe a shkoni shpesh në vendlindje?Lavdrim Sylejmani: Unë jam nga Gjilani dhe në Kosovë shkoj gati çdo vit. Kam dëshirë të udhëtoj në gjithë botën, për këtë arsye në Kosovë nuk shkoj më shumë se një herë në vit. Kam shumë familjarë në Kosovë, po ashtu edhe në të tjera vende të shpërndarë në tërë botën. Lidhjen më të madhe me vendlindjen e kam nëpërmjet familjarëve. Mos të ishin ata, nuk e di se pse duhet të shkoja në Kosovë. albinfo.ch: Ju studioni ekonominë, çka ju lidh me manekenizmin?Lavdrim Sylejmani: Ekonomia është gjithkund. Edhe në botën e “Show biznesit” që për mua është më interesante sesa ekonomia financiare ose politike. Por, secila prej tyre e ka bukurinë e vet. Por kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk kam ndonjë lidhje me manekenizëm. Manekenizëmin dua ta përjetoj paralelisht me studimet.

albinfo.ch: Çfarë përkrahje keni prej familjes?Lavdrim Sylejmani: Familja më ka përkrahur plotësisht. Janë më të gëzuar se sa jam unë për këtë që jam duke përjetuar.

albinfo.ch: Pohuat se rrini më shumë me zviceranë, si keni arritur ta ruani gjuhën shqipe në ZvicërLavdrim Sylejmani: Flas shqip shumë mirë, përkundrazi  kam pak vështirësi në të shkruar, ngase nuk e kam mësuar gjuhën shqip për kohë të gjatë. Në familje flasim shqip, mendoj se është shumë e rëndësishme të mos e harrojmë gjuhën e prindërve. Në moshë të re prindërit na kanë dërguar mua po ashtu edhe motrën dhe vëllanë për të ndjekur një kurs të gjuhës shqipe. albinfo.ch: A mendoni se do të zgjidheni mister Zvicra 2012, me çfarë konkurrence do të përballeni? Lavdrim Sylejmani: Konkurrenca është e fortë. Sidomos kur ta llogarisim që jetoj në Kantonin Tesin dhe kam prejardhje kosovare. Zviceranët me siguri votojnë për kandidatët zviceranë sesa për një kosovar. Për këtë arsye u bëj thirrje shqiptarëve në Zvicër që të më përkrahin me vota. Kam nevojë për ta. Përndryshe, unë e shoh veten si konkurrent  potencial për të marrë çmimin Mister Zvicra 2012, ngase i plotësoj të gjitha kriteret e nevojshme. 

Lavdrim Sylejmani:, kandidat për Mister 2012, kishte migruar me familjen në Zvicër në moshën trevjeçare. Tani ai jeton me familje në Pregassona të Tesinës. 23-vjeçari nga Gjilani studion ekonominë, ndërsa e ka hobi futbollin, tenisin, volejbollin, fotografimin dhe udhëtimin. Lavdrimi  thotë se ruan në kujtesë pushimet në SHBA me të dashurën e tij, kurse e kishte përjetuar rëndë kohën kur babi i tij ishte shtrirë për dy javë në kujdesin intensiv me probleme të zemrës. “Unë e kam përjetuar rëndë, kur babai im ishte shtrirë në mesin e të gjitha aparateve “, thotë Lavdrimi. Lavdrim Sylejmani kishte hyrë në konkurrencën e ngushtë për Mister 2012 në një garë të fortë prej 100 pretendentëve. Lavdrimi kërkon ndihmën e të gjithëve për ta mbështetur në këtë garë. Tashmë, ju mund të votoni për Lavdrimin nëpërmjet SMS-ave në 919 me tekst, p.sh: “MR Lavdrim”.    

Foto Galeri