Kosova

Liderët politikë bëjnë homazhe në Reçak

27-vjetori i Masakrës së Reçakut, homazhe nga krerët e institucioneve

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, së bashku me ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, bënë homazhe në Reçak, në 27-vjetorin e Masakrës, përcjell albinfo.ch.

Osmani theksoi se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmi e qëllimit të Serbisë për zhdukjen e popullit shqiptar dhe se mohimi i saj përbën një krim të dyfishtë. “Dhimbja mbetet e freskët për familjet dhe gjithë popullin e Kosovës, pasi ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera”, shtoi ajo.

Kurti u zotua se do të vazhdojë kërkimin e drejtësisë për krimet e luftës: “Jemi këtu për të shprehur dhimbjen tonë dhe për t’u angazhuar që kriminelët të përgjigjen për mizoritë e para 27 vjetëve”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kujtoi rolin e Masakrës së Reçakut në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe falënderoi William Walker për kontributin e tij. Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se kërkimi i drejtësisë mbetet obligim shtetëror e moral: “Pa drejtësi për viktimat, paqja nuk mund të jetë e plotë”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përkujtoi viktimat dhe përmendi se krerët e UÇK-së po gjykohen në Hagë, jo ata që kryen krimet serbe. Ai vlerësoi sakrificën e brezave që luftuan për liri.

Masakrën e kujtoi edhe OSBE-ja në një postim në Facebook, duke e quajtur këtë ngjarje rikujtim të detyrës kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe siguruar drejtësi për të gjithë.

“Kurrë mos harro. Sot kujtojmë 45 jetët e humbura dhe u shprehim ngushëllimet tona familjeve të tyre”, thuhet në postim./Albinfo.ch