Shqipëria
Majko shprehet kritik ndaj politikës së vendit, flet edhe për Samitin e Diasporës
Pandeli Majko tha se samiti për diasporën do të jetë një forum për përfaqësuesit e saj, duke pranuar se shumë nga arsyet për largimin e tyre kanë lidhje me politikën në Shqipëri
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, thotë se protestat e studentëve në Shqipëri ishin shqetësuese, sepse ishin një reagim ndaj sistemit politik që është ndërtuar që nga vitet ’90-a dhe pasqyronte opinionin publik ndaj politikës shqiptare.
Ministri i Diasporës që ndodhej në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se Samiti për Diasporën do të jetë një forum për përfaqësuesit e saj, duke pranuar se shumë nga arsyet për largimin e tyre kanë lidhje me politikën në Shqipëri.
Në intervistën për Zërin e Amerikës, Majko foli edhe për qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj medias dhe për çështjen e negociatave Prishtinë-Beograd, përcjell albinfo.ch.
Zëri i Amerikës: Zoti Majko, po i afrohemi samitit të dytë për diasporën, çfarë hapash konkretë po merren nga qeveria shqiptare për angazhimin e diasporës dhe sa realisht janë të angazhuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, bazuar në kontaktet që keni ju, për të dhënë kontributin e tyre? Çfarë garancish jep qeveria shqiptare që ata të mund të bëjnë një gjë të tillë?
Pandeli Majko: Dua të theksoj faktin që ky aktivitet është sidomos i diasporës. Nuk do të jetë thjesht një dialog midis një qeverie në pushtet dhe të ftuarve që do të vijnë. Ne jemi të vetëdijshëm se brenda politikës shqiptare ekzistojnë shumë arsye se përse ata që kemi ftuar në Samitin e Diasporës janë larguar nga vendi. Kështu që jemi shumë të kujdesshëm për të mos bërë sikur po bëjmë ndonjë heroizëm të madh me ato çfarë kemi bërë. Kemi bërë shumë, por mendoj se jemi shumë vonë dhe vrapi në këtë rast është prapë vonë.
Zëri i Amerikës: Në janar, Kryeministri Rama ndryshoi më shumë se gjysmën e qeverisë duke e quajtur këtë si reflektim ndaj protestave të studentëve. Kur një kryeministër ndryshon më shumë se gjysmën e qeverisë, çfarë treguesi është kjo për ecurinë e qeverisjes që nga koha kur filloi ky mandat i ri i socialistëve dhe në fakt çfarë ka ndryshuar në filozofinë e qeverisjes me ndryshimin e emrave?
Pandeli Majko: Mendoj se të gjithë kemi qenë nën reflektimin se çfarë duhet të bëjmë pasi lëvizja studentore ishte një lëvizje që realisht na shqetësoi të gjithëve. Unë, të them të drejtën, për herë të parë jam ndier i pasigurt për atë që po ndodhte. Sepse nga një anë ndjeja që po takoja vetveten, ata ishin studentë që po ngriheshin karshi, ta themi troç fjalës, një sistemi politik që ishte ndërtuar pas viteve 90-të, dhe që një pjesë e tyre mendojnë se është i kalbur, ashtu siç mendoja unë bashkë me shokët e mi në vitet ’90-a.
Po ta vinit re, problemi më i madh aty nuk ishte se ata kundërshtonin qeverinë, madje ata nuk kërkonin as dorëheqje të qeverisë apo të ministrave të veçantë të qeverisë. Shqetësimi im më i madh ishte se ata nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita. Dhe kjo sjell një problem të madh të opinionin publik me politikën shqiptare.
Zëri i Amerikës: Kalojmë pak te Kosova. Ditët e fundit ka pasur nxitje, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet një marrëveshje brenda këtij viti. Gjithashtu ka patur shumë debate duke filluar që nga ideja e korrigjimit të kufirit, vendosja e tarifave që po kundërshtohet me forcë nga Shtetet e Bashkuara, tarifat ndaj Serbisë. Si e shihni situatën dhe a jeni optimist për një zgjidhje këtë vit?
Pandeli Majko: Lexova me kujdes një editorial të dy ambasadorëve të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd të cilët nënvizonin faktin e nevojës për një marrëveshje midis palëve dhe për heqjen dorë nga obstruksionizmi, që mu duk momenti i parë i rëndësishëm, dhe i dyti për të realizuar një marrëveshje të pranuar dhe të zbatueshme.
Tek obstruksionizmi kam parasysh në radhë të parë mënyrën se si shteti serb sillet karshi shtetit të Kosovës, duke u përpjekur në mënyrën më maksimale ta bllokojë atë në çdo rol ndërkombëtar apo akt ndërkombëtar që shteti i Kosovës ndërmerr. Obstruksionizmi ka të bëjë edhe me mënyrën se si ka reaguar Kosova, por ne duhet të ndajmë kush është aksioni dhe kush është reaksioni. Pra duhet të ndajmë që tarifa e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, obstruksionizëm është, një gjë që në kushtet teorike është krejtësisht e pavend. Por ne nuk duhet ta shikojmë si një aksion, por duhet ta shikojmë si një reaksion.
Unë pres marrëveshje, siç edhe dy ambasadorët e respektuar kishin nënvizuar, të zbatueshme. Për idenë e shkëmbimit të territoreve, idenë e korrigjimit të kufijve, ide të çuditshme që kanë qarkulluar mbi dhe nën tavolinë, sinqerisht kam qenë i rezervuar. I rezervuar për një fakt shumë të thjeshtë: ky është një lloj autoriteti apo autorizimi që i takon elitës politike të Prishtinës.
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria














