Lajme

Maqedonia e gatshme t’i zgjidhë kontestet me Bullgarinë dhe Greqinë

Qeveria e re në Shkup konsideron se vetëm përmes ndërtimit fqinjësisë së mirë dhe përmbushjes së kritereve evropiane do të mund të përshpejtohet me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO

Qeveria e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev i ka vënë vetes dy prioritet kryesore në relacion me shtetet fqinje, zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë dhe me Greqinë. Qeveria e re në Shkup konsideron se vetëm përmes ndërtimit fqinjësisë së mirë dhe përmbushjes së kritereve evropiane do të mund të përshpejtohet me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Në këtë kuadër të martën para Komisionit parlamentare për politikë të jashtme është hapur çështja e draft-marrëveshjes me Bullgarinë, por mbledhja është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa debati është kërkuar nga VMRO-ja opozitare e cila kërkon nga Qeveria transparencë për të gjitha çështjet me interes shtetëror.

“Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, pasi prekë interesat nacionale të Maqedonisë. Vlerësojmë se është mirë që marrëveshja të arrihet, por me kusht që të mos i dëmtojë interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së, citon REL.

“Kryeministri Zoran Zaev dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov gjithmonë kanë thënë se vendimet e rëndësishme do të miratohet në Kuvend me përfshirjen e të gjitha palëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa e gjithë procedura të jetë e hapur dhe transparente”, ka thënë Milloshoski.

Detaje nga marrëveshja për fqinjësi të mirë që pritet të nënshkruhet në fillim të muajit të ardhshëm nuk dihen, përveç faktit se ajo do të nënshkruhet në maqedonisht dhe bullgarisht, që flet për njohjen e gjuhës maqedonase nga Bullgaria fqinje.

Maqedonia dhe Bullgaria kanë probleme të hapura për gjuhën, kulturën dhe prejardhjen e shumë personaliteteve nga e kaluara historike. Dy vendet pretendojnë se Goce Dellçev dhe shumë heronj të tjerë u përkasin dy shteteve.

Përveç me Bullgarinë, përpjekje nga Qeveria edhe për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Pas takimeve që pati para dy javësh në Shkup, ndërmjetësi i OKB-së, Mejtu Nimic, të hënën, në Bruksel ka takuar shefin e diplomacisë greke, Nikos Kocijas i cili siç transmetojnë mediat, i ka thënë ndërmjetësit Nimic se komunikimi me Qeverinë e re në Shkup është shumë më i frytshëm se ai me Qeverinë e mëparshme.

Shefi i diplomacisë greke ka thënë se një frymë të tillë e pret edhe gjatë vizitës së tij në Shkup më 31 gusht.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se komunikimi mes dy vendeve shihet si sinjal i mirë për mbylljen e kontestit mbi 20 vjeçar, por se për marrëveshja, megjithatë ende është herët të flitet.

“Takimet në Shkup shënuan fillimin e vendosjes së komunikimit, ndërsa takimin mes Kocijas dhe Nimic në Bruksel e shoh si vazhdimësi dhe forcim të dialogut. Por, mendoj se kjo nuk do të sjell ndonjë rezultat konkret, pasi për këtë nevojitet ende kohë, konsultime dhe negociata deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë”, thotë ish-diplomati Bllagoj Zashov.