Sport

Masa të jashtëzakonshme sigurie për Izraelin

Rreth 1000 forca policore do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Izrael, që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në “Elbasan Arena"

Përfaqësuesja e Izraelit ka zbarkuar në Shqipëri, derisa masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme, si kurrë më parë për një ekip futbolli, shkruan albinfo.ch.

Gjithçka ka qenë nën masa ekstreme sigurie, rrugët që të çonin drejt aeroportit kanë qenë të bllokuara tërësisht, ndërkohë që çdo objekt e makinë është kontrolluar paraprakisht edhe në territorin e jashtëm nga qetë anti-minë.

Kanë qenë të shumta makinat e sigurisë që kanë shoqëruar karvanin e delegacionit izraelit. E gjithë autostrada, në të cilën ka patur çdo 150 metra nga një polic ishte e bllokuar deri në momentin e mbërritjes së skuadrës dhe delegacionit në hotel në qendër të Tiranës.

Dy autobusët, që normalisht duhet të ishte skuadra, kanë qenë bosh, ndërkohë që skuadra ka qenë e ndarë në disa furgonë më të vegjël,  duke shfaqur në këtë formë një manovër sigurie nga agjentët e sigurimit izraelit, të cilët kishin marrë masat për të gjithë itinerarin e lëvizjes, por edhe për ditët e qëndrimit në Shqipëri.

Rreth 1000 forca policore do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Izrael, që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në “Elbasan Arena”.

Stadiumi është marrë në dorëzim nga policia prej dy ditësh, ndërsa në hyrje të tij ushtrohen kontrolle ndaj çdo personi që shkel stadiumin, qoftë edhe punëtorë apo punonjës të federatës.

Policia ka marrë në ruajtje dhe hotelin ku do të qëndrojë ekipi kombëtar izraelit. Shoqërimi dhe ruajtja e tyre i është ngarkuar forcave speciale RENEA, ndërsa në gatishmëri do të jenë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.