Lajme

Mbrëmje festive në Stockholm: “Jehona” bashkon shqiptarët për Ditën e Pavarësisë

Pavarësia e Kosovës festohet në Stockholm nga Shoqata “Jehona”

Në Stockholm, Shoqata Jehona organizoi për të dytin vit me radhë festimin e Pavarësisë së Kosovës, në një mbrëmje artistike e kulturore me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat, si dhe përfaqësues të komunitetit suedez, shkruan albinfo.ch.

Programin e pasuruan grupet e valleve Albansk Folkgrupp Tradita, Albanian Dancers Skifteria Stockholm dhe Grupi i valleve Albulena, ndërsa atmosfera festive u shoqërua nga DJ Tani Prenga. Emocione të veçanta sollën grupi polifonik “Kënga Labe” në Stockholm, këngëtarja Jona Spahijaj, Ervis Lila dhe Majlinda Hoxha.

Aktiviteti u moderua nga Kujtim Miftari (Mitjuk Iratfim), sekretar i shoqatës, i cili në fjalën e tij evokoi luftën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës për liri. Të pranishmit i përshëndetën edhe diplomati Dren Zeka nga Ambasada e Kosovës, si dhe i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shqipërisë, Eno Çollaku, të cilët vlerësuan rolin e mërgatës në arritjen e Pavarësisë dhe kontributin e shoqatës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në emër të shoqatës foli kryetari Arben Shaqir Vata, i cili ftoi komunitetin të mbështesë dhe të anëtarësohet në “Jehona”, me synim zhvillimin e aktiviteteve cilësore për fëmijët dhe komunitetin.

Bordi i Shoqatës “Jehona” falënderoi të gjithë bashkatdhetarët dhe bashkëpunëtorët për kontributin në realizimin e kësaj feste, me mirënjohje të veçantë për ata që ndihmuan në organizim dhe mbarëvajtje të aktivitetit./Albinfo.ch