Kultura

Më i miri në Swikos, filmi gjerman „Si një i huaj”

Për regjinë më të mirë është shpërblyer Faton Bajraktari për filmin "Lufta", ndërsa skenari më i mirë është zgjedhur ai i filmit "Muret"

I nisur para pesë vitesh si një revy modeste filmash të Kosovës dhe të Zvicrës, festivali “Swikos”, me edicionin e tij të pestë treditësh, që përfundoi të dielën, tregoi prirjen e tij drejt shndërrimit në një festival të mirëfilltë të filmit të shkurtë. Këtë tendencë, “Swikos”-i sivjetmë e dëshmoi së pari me rritjen e numrit të filmave të shfaqur (15). Por, ai këtë vit ka bërë edhe zgjerimin e gjeografisë së prejardhjes së filmave, gjegjësisht ka shtuar numrin e vendeve pjesëmarrëse dhe ka sjellë këtu personalitete të njohura të filmit nga Kosova.

© albinfo.ch Isa Qosja i ndan çmimin për regjinë më të mirë, Faton Bajraktarit 

Pas dy ditëve të shfaqjes së filmave, dita e tretë ishte rezervuar vetëm për solemnitetin e ndarjes së çmimeve. Mbrëmjen e finales kishin ardhur ta ndjekin ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj me personelin e Ambasadës dhe drejtori i Departamentit për Politika të Diasporës, Mustafë Xhemaili. Malaj në një fjalë rasti ka përshëndetur vullnetin e treguar të organizatorëve për të mbajtur gjallë dhe zhvilluar një festival të këtillë, që pos prezantimit të artit, bën edhe lidhjen në mes të kulturës zvicerane dhe asaj kosovare.

Pastaj, është zhvilluar ceremonia e ndarjes së çmimeve, modeste dhe pa elementin e glamurit, që e hasim në festivale tjera. Juria me këtë rast kishte ndarë çmimin për filmin më të mirë, për regjinë, skenarin, rolin dhe kamerën më të mirë ndërsa një çmim i veçantë ka qenë ai i publikut .

Filmi i shpërblyer “Si një i huaj” (Wie ein Fremder)

Si film më i mirë që ka zgjedhur juria e përbërë nga regjisorët e filmit: Isa Qosja, Georg Häsler Sansano dhe Ernest Meholli është shpallur filmi i regjisores gjermane nga Hamburgu Lena Liberta “Si një i huaj” (Wie ein Fremder). Çmimin për regjinë më të mirë juria ia ka ndarë regjisorit nga Prishtina Faton Bajraktari për filmin “Lufta”.

Me çmimin e aktorit më të mirë, është nderuar grupi i aktorëve të filmit “Bodrumi” nën regjinë e Arian Mustafës, ndërsa për skenar më të mirë, çmimin e ka marrë filmit “Muret”. Latif Hasolli ka fituar çmimin për kamerën më të mirë, në filmin “Lufta”. Çmimi i publikut i ka takuar filmit “Si qeni n`rrush” me regji të Driton Hajredinit dhe Yll Çitakut.

Çmimet i kanë ndarë tre anëtarët e jurisë, aktori Enver Petrovci dhe ambasadori Naim Malaj.

Organizimi i festivalit ka ecur kryesisht mirë dhe pa telashe të mëdha. Por, numri i atyre që kishin ardhur për të ndjekur filmat, nuk ishte i kënaqshëm. Nëse kjo ka të bëjë me shpërndarjen e publikut potencial në manifestimet tjera, (ato të Ditës së Flamurit) ose me mungesën e interesimit të këtij publiku për filmin, mund vetëm të spekulohet. Por, salla luksoze ku është mbajtur festivali, ka qenë gjysmë e mbushur.

Një ndër ata që e përcjell festivalin që nga fillimi, Bashkim Dylaj, një inxhinier i pasionuar pas filmit, thotë për albinfon se krahas përmirësimit evident të cilësisë, edhe teknike, festivali ka edhe disa mungesa. Sipas tij, do të ishte e udhës që të zvogëlohet numri i filmave me temë luftën dhe të zgjerohet gama e temave që trajtojnë këta filma.

Ndërkaq qrejtori i Swikos-it, Florin Brajshori, e konsideron shumë të suksesshëm këtë edicion. Ai, këtë vlerësim e mbështet në punën e madhe që ka bërë ai vetë me bashkëpunëtorët, pastaj falënderon sponsorët dhe të gjithë ata që janë angazhuar për mbarëvajtje e këtyre ditëve të filmit. Por, Brajshori e veçon si sukses sidomos pjesëmarrjen në këtë edicion të emrave të shquar të filmit të Kosovës Isa Qosja dhe Enver Petrovci.

Ai ka lëvdata edhe për filmat nga Kosova që kanë ardhur në festival. “Nga përvoja pesëvjeçare, mund të them se vërehet një ngritje serioze e nivelit të filmit kosovar të prezantuar këtu”, thotë Brajshori. Por ai është i bindur se vitin e ardhshëm festivali “Swikos” do të jetë edhe shumë më i madh dhe më mirë i organizuar. “Punën për ndërtimin e programit për vitin 2012 tashmë e kemi filluar. Ne kemi premtime që për edicionin e ardhshëm do të kemi mbështetje më të madhe të institucioneve, kosovare dhe zvicerane por edhe të firmave të ndryshme, në Zvicër dhe në Kosovë”, zbulon për fund drejtori i festivalit Swikos, Florin Brajshori.