Lajme
Mes artit dhe jetës, mbrëmje përkujtimore për Nasuf Naski Abdixhikun
Në Corpataux-Magnedens, familjarë, miq dhe artdashës mblidhen për të nderuar një personalitet që jetoi mes pikturës, aktrimit dhe poezisë, duke lënë gjurmë të veçantë në komunitet dhe në art
Luljeta Ademi
Një mbrëmje përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Nasuf Naski Abdixhikut do të organizohet në Corpataux-Magnedens, duke mbledhur familjarë, miq dhe artdashës që e kanë njohur nga afër dhe kanë ndarë me të hapësira krijuese e njerëzore.
Nasuf Naski Abdixhiku ishte një personalitet me një ndjeshmëri të veçantë artistike, i cili e ndërtoi jetën e tij në ndërthurjen e tri formave shprehëse: pikturës, aktrimit dhe poezisë. Ai e konsideronte këtë bashkëjetesë si një dhunti të rrallë – mundësinë për të jetuar njëkohësisht në disa “botë”, duke i dhënë secilës dimensionin e vet të brendshëm.
I lindur në Tërnoc të Madh, në komunën e Bujanocit, ai u formua në një mjedis familjar të qëndrueshëm, ku hodhi hapat e parë në arsim dhe në jetë. Që në vitet e gjimnazit u dallua për prirjet artistike, veçanërisht në aktrim, si pjesë e SHKA “Jehona”, ku u angazhua deri në përfundim të shkollës së mesme. Në këtë periudhë ishte pjesë e realizimit të komedisë “Akraballëku” të Kristo Floqit, një produksion që u vlerësua në festivale të kohës dhe arriti të kualifikohej në skenat më përfaqësuese teatrore të asaj periudhe.
Paralelisht me aktrimin, ai kultivoi edhe një marrëdhënie të hershme me poezinë, duke shkruar dhe botuar në shtypin e kohës, ndërsa prirjet për artin figurativ u shfaqën që në fëmijëri përmes vizatimeve që vlerësoheshin për ndjeshmërinë dhe saktësinë e tyre.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në vitin 1983 dhe krijimit të familjes, ai emigroi fillimisht në Budapest, ku kaloi disa vite të rëndësishme formimi personal dhe kulturor, duke përvetësuar gjuhën hungareze dhe duke ndërtuar kontakte ndërkulturore. Në dhjetor të vitit 1988 u vendos në Zvicër, ku filloi një kapitull të ri jetësor.
Në Zvicër ai u integrua në sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë, duke mbajtur pozita përgjegjëse si shef servisi në hotele të njohura në kantonin e Fribourgut. Megjithatë, dimensioni i tij krijues nuk u zbeh asnjëherë. Përkundrazi, arti mbeti një hapësirë e përhershme reflektimi dhe shprehjeje.
Kontributi i tij në jetën komunitare shqiptare në Zvicër ishte i dukshëm. Ai themeloi shkollën shqipe në Châtel-St-Denis, duke mbledhur rreth 20 nxënës, dhe u angazhua aktivisht në organizimin e ndihmave humanitare për Kosovën gjatë viteve 1997–1999. Në vitin 1998 realizoi vepra artistike me tematikë kombëtare, të cilat u ekspozuan në manifestime të mëdha në Bernë, duke tërhequr vëmendjen e organizatorëve dhe publikut.
Pikturës iu përkushtua më intensivisht nga viti 2000, ndërsa në vitin 2009 hapi atelienë e tij personale, duke zhvilluar një aktivitet të qëndrueshëm ekspozues në Zvicër dhe jashtë saj. Veprat e tij u mirëpritën nga artdashësit për ngjyrimin e veçantë emocional dhe qasjen e tij personale ndaj motivit.
Në fushën e kinematografisë, ai ishte pjesë e disa projekteve filmike dhe televizive. Luajti në filmin “Inovacioni i fundit” të Burim Halitit, si dhe në serialin zvicerano-belg “Bulle” të Anne Deluze, ku pati rastin të shfaqej përkrah Claudia Cardinale. Po ashtu, mori pjesë në serialin “Quartier des Banques 2” të Fulvio Bernasconi në Gjenevë.
Angazhimi i tij në art u shtri edhe në dimensionin kuratorial dhe organizativ. Në vitin 2020 dhe 2021 ishte pjesë e festivalit “Art Without Limit, International Film Festival” në Kosovë, si seleksionues i filmave dhe autor i logos së festivalit. Po ashtu, organizoi mbrëmje filmike në Zvicër me filma shqiptarë, duke krijuar ura komunikimi mes artistëve dhe publikut.
Mbrëmja përkujtimore do të zhvillohet nga ora 18:00 deri në 20:00, dhe do të shoqërohet me një ekspozitë të veprave të tij, si një rikthim simbolik në universin që ai ndërtoi me përkushtim. Në përmbyllje të aktivitetit do të organizohet një moment shoqërimi me koktej, në frymën e bashkimit dhe kujtesës së përbashkët.
Organizatorët ftojnë të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar Nasuf Naski Abdixhikun, si dhe miq të tjerë, të bëhen pjesë e këtij përkujtimi.
📍 Adresa: Rte du Centre 59, 1727 Corpataux-Magnedens
🕕 Ora: 18:00 – 20:00
📞 Për më shumë informata: +41 79 822 65 97
Linku për ngjarjen : Mbrëmje përkujtimore për Naskin
E-Diaspora
-
Rexhep Rifati u shpall qytetar nderi i Horës së Arbëreshëve Këtë nderim, ai e ka merituar me punën e përkushtuar që ka kryer prej shumë vitesh... -
Ambasadori britanik takon studentët kosovarë pas studimeve në Mbretërinë e Bashkuar -
Itali
Tragjedi në Bolonjë: Vdes 12-vjeçari shqiptar pas rënies nga kati i 8-të -
Lucernë
Në Lucern, hajdutët vjedhin Porsche-in 200 mijë frangash, Milot Berisha sheh gjithçka live -
Arrestohen dy shqiptarë me armë me silenciator, po tentonin të hynin ilegalisht në Britani
Jeta në Zvicër
-
Pse kantoni malor i Graubündenit e refuzon tarifën e emergjencës Kushdo që viziton një stacion urgjence duhet të paguajë një tarifë prej 50 frangash. Në kantonin... -
Ticino në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut të zjarreve në pyje -
Ushtria zvicerane pritet të fillojë prodhimin e dronëve ushtarakë deri në vitin 2027 -
Lucernë
Në Lucern, hajdutët vjedhin Porsche-in 200 mijë frangash, Milot Berisha sheh gjithçka live -
Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish












