Kosova
Miratohet paga e 13-të në Kosovë
Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit. Dhënia e pagës së 13-të për sektorin publik është përfshirë në Buxhetin për vitin 2026
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për miratimin e dhënies së pagës së 13 – të për punonjësit që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se përveç atyre që kanë punuar 12 muajt e kaluar në sektorin publik, do të ndahet pagë e pjesshme edhe për ata që nuk kanë përmbushur plotësisht 12 muaj punë në sektorin publik.
“Kanë qenë disa raste kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Është rasti i të gjithë atyre personave që kanë dymbëdhjetë muaj të plotë në sektorin publik dhe marrin pagën e 13-të të plotë. Ajo është e barabartë në vlerën e koeficientit e shumëzuar me njësinë e koeficientëve që kanë pozitat përkatëse për personin që është në listën e pagave në muajin mars. Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë. Edhe në këto raste do të merret mesatarja e pagës së marrë në këta 12 muajt e fundit. Njëkohësisht, jemi kujdesur për gratë lehona që janë ose kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12-mujore; muajt e kaluar të pushimit të lehonisë t’u njihen sikurse muaj që kanë punuar me orar të plotë”, theksoi Murati, raportoi KP.
Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit. Dhënia e pagës së 13-të për sektorin publik është përfshirë në Buxhetin për vitin 2026.
Aty thuhet se për të ndarë pagën e 13-të, duhet të merret vendim nga Qeveria, pasi të sigurohet se përgjatë vitit fiskal respektohet rregulla fiskale për mostejkalim të tavanit të deficitit prej 2 për qind të bruto produktit vendor.
Vendimet tjera
Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se qëllimi i ligjit është i dyfishtë.
“Së pari të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke e bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe së dyti të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo ka deklaruar se ky ligj jep një mesazh të qartë. “Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, shtoi ajo.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektoratin qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, si dhe Projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektoratin qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, si dhe Projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm.
Qeveria ka miratuar edhe Draftraportin e Vlerësimit të Përputhshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2025. Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25”, Segmenti QMI-Lipjan.
Bonusi për Kosovën
Fitorja e Kosovës ndaj Sllovakisë të enjten e kaluar është shpërblyer nga Qeveria.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 500 mijë eurove për “Dardanët”. Kryeministri Albin Kurti, ka uruar që Kosova të fitojë edhe finalen e plejofit më Turqinë, që luhet në “Fadil Vokrri” të martën.
Në rast të kualifikimit ai ka thënë se do të ndajnë edhe 1 milionë euro të tjera.
“Kualifikimi në Kupën e Botës do ta kuptimsonte shënimin e 10-vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Një fitore nesër po ashtu do të përbënte një arsye për t’u mbledhur sërish ne këtu. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës do të ndajmë edhe një milion euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll. Në rast kualifikimi, po zotohemi sot se ne rast se shkojmë tutje dhe kualifikohemi, do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja për sukseset që do të pasojnë në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Kurti.
Kurti pati premtuar shpërblim qysh në nëntor nëse Kosova do ta fitonte ndeshjen me Sllovakinë.
Në finale e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet të martën, Kosova do të ballafaqohet me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës Me 9641 vota, Shasime Osmani e lindur në Kërçovë është shqiptarja e vetme që ka siguruar... -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: E djathta ekstreme dëshiron të ndalojë shamitë në shkolla Një mocion parlamentar i paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) bën thirrje për ndalimin e hixhabit... -
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës -
Linjat ajrore zvicerane rrisin çmimet e biletave përpara sezonit të pikut të udhëtimit veror -
Zvicër: Kërkohet rritja e taksave për alkoolin dhe duhanin -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë












