Lajme
“Mos ma prek hixhabin tim”, gratë myslimane franceze, kundër ndalesës së shamisë
“Mos ma prek hixhabin tim”, gratë myslimane franceze kundër projektligjit që ndalon mbajtjen e shamisë.
Mbajtja e shamisë ose hixhabit për gratë myslimane konsiderohet si pjesë e devotshmërisë ndaj Profetit Muhamed, por propozimi i senatorëve francezë për të ndaluar mbajtjen e saj nën moshën 18 vjeç, në hapësirat publike, ka shkaktuar kundërshtinë dhe protesta online të mijëra grave myslimane, nën moton “Mos ma prekni hixhabin”, raporton Euronews.
“Kur mora vesh që Senati kishte votuar projektligjin, u ndërgjegjësova që shumë shpejt mund të kthehet në ligj, dhe brenda natës mund të më ndalohet të mbaj shaminë në hapësirat publike. U shokova, por edhe u ndjeva e frikësuar, pasi kjo nënkupton se më duhet të pres që të mbush 18 vjeç për të pasur lirinë e besimit”, thotë Mariem Chourak, studente 16-vjeçare, transmeton Albinfo.ch.
Mbajtja e simboleve dhe veshjeve fetare në publik, është një temë e nxehtë në Francë, një shtet laik por që është edhe vendi me komunitetin më të madh mysliman në Europë. Në vitin 2004, Franca ndaloi mbajtjen e shamive në shkolla. Në vitin 2010, u ndalua mbajtja e burkës, mbulesa e plotë e fytyrës, në vende publike si rrugët, parqet, transporti publik dhe ndërtesat administrative.
Edhe pse amandementet vlejnë për të gjitha fetë, shumë kritikë mendojnë se në fokus janë vetëm gratë myslimane.
Një grup të rejash në Francë kanë nisur lëvizjen “Mos ma prek hixhabin”, duke tërhequr edhe mbështetjen e shumë personazheve të famshme të rrjeteve sociale.
Në Francë, hashtagu është shpërndarë masivisht edhe nga personazhe të njohura të komunitetit mysliman, si Miriam Sefraui, 21 vjeçe, e cila ka mbi 78 mijë ndjekës në Instagram.
“Përshëndetje, emri im është Miriam dhe unë mora pjesë në lëvizjen ‘Mos ma prek hixhabin’ e nisur në muajin prill, kundër projekt-ligjit që synon të ndalojë minorenët të mbajnë veshur shaminë në vendet publike.
Shumë vajza të reja më ndjekin në rrjetet sociale, ku shumica e tyre përbëhet nga të reja myslimane. Për mua është e rëndësishme, pasi unë nisa të mbaj shaminë në moshën 17-vjeçare, dhe duke parë që mund të isha prekur nga ky projekt-ligj, shpërndarja e këtij hashtag-u është e rëndësishme në ndërgjegjësimin e njerëzve”, ka shkruar ajo.
Senati francez i dominuar kryesisht nga partitë konservatore propozoi amandementin në fjalë sikurse edhe dy projektligje të tjerë që do t’u ndalonin nënave të mbanin hixhabin gjatë shoqërimit të fëmijëve në ekskursione apo dhe ndalimin e veshjes së plazhit, burkini.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Zvicër
Zvicerani përplas për vdekje kosovarin 83-vjeçar, dënohet vetëm me para Shoferi në telefon përplasi për vdekje kosovarin, dënimi ngjall polemika... -
Zvicër/Kosovë
Kosovarët kryesojnë listën e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në Zvicër -
Kujtesa që bashkon: simboli i gjenocidit në Kosovë në Horën e Arbëreshëvet -
Itali
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Britani
Lirim Koraqi zhvillon vizitë shkencore në Universitetin e Yorkut në Mbretërinë e Bashkuar
Jeta në Zvicër
-
Pse të mësuarit e një gjuhe zvicerane vetëm “sipas librit” mund të mos ju ndihmojë në karrierën tuaj Të qenit në gjendje të flasësh një nga gjuhët kombëtare të Zvicrës është një domosdoshmëri për... -
Sulmet e dezinformimit të huaj synojnë Zvicrën -
Organizata bamirëse zvicerane Caritas bën thirrje për luftë të re kundër varfërisë -
Zvicra do të hapë gjashtë qendra të reja kërkimore -
Migros mbyll libraritë fizike














