Jeta në Zvicër

Moti në Zvicër do të jetë edhe më ekstrem

Verërat e nxehta të tilla si e vitit 2003 apo 2018, në të ardhmen do të jenë të zakonshme. Këtë e tregojnë skenarët e mundshëm të klimës të ETH Cyrih dhe "Meteoschweiz"

Zvicra duhet të përgatitet për një ndryshim të dhunshëm të klimës. Në këtë përfundim kanë ardhur hulumtuesit e klimës nga ETH Zürich dhe “Meteoschweiz”, gjatë një studimi të autorizuar nga Qeveria federale, mbi skenarët e mundshëm të klimës. Sipas kësaj, ndryshimi i klimës nuk duhet ta kursejë Zvicrën.

Deri në vitin 2060, kryesisht priten katër ndryshime kryesore, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Albinfo.ch.

Sasia mesatare e shiut gjatë verës do të ulet për një afat më të gjatë. Për shkak të rritjes së temperaturës, avullimi do të përforcohet në mënyrë shtesë. Kjo do të sjellë në toka më të thata dhe një rritje të temperaturës së ajrit të nivelit tokësor.

Në të njëjtën kohë, për rreth një të katërtën pjesë do të reduktohet shiu. Pra, është e mundur që në muajt e verës të shkaktohen periudha të thata prej vetëm tre javësh. Temperatura afër truallit do të rritet nga 2.5 deri 4.5 gradë, krahasuar me të sotmen.

Megjithëse temperaturat mesatare po rriten ndjeshëm, temperaturat maksimale do të rriten edhe më shumë. Kështu pra, në ditët më të ngrohta të verës, temperaturat mund të rriten nga 2 deri në 5,5 gradë më tepër se që janë sot.

Verërat e tilla të nxehta si e vitit 2003 apo 2018, do të bëhen të zakonshme, informon më tej Albinfo.ch.

Vala e nxehtësisë së vazhdueshme do të jetë më e shpeshtë dhe me kohëzgjatje më të madhe. Veçanërisht në zonat e ulëta urbane, ngarkesa e nxehtësisë do të jetë më e fortë.

Dimri do të jetë shumë më i ngrohtë se sa është sot. Bëhet fjalë për një rritje të mundshme të temperaturës nga 2 deri në 3,5 gradë. Përveç kësaj, do të ketë më shumë reshje – por për shkak të temperaturave më të larta, në formë shiu dhe jo në formë të dëborës. Dëbora do të jetë më e rrallë dhe do të reshë më pak.

Pritet që në vende të ulëta, vetëm gjysma e dëborës do të bjerë si më parë. Përveç kësaj, kufiri i shkallës zero do të rritet ndjeshëm. Përderisa sot ajo mund të gjendet në rreth 850 metra mbi nivelin e detit, ndoshta në të ardhmen do të rritet në 1.500. Si rezultat i kësaa, në Zvicër do të ketë më pak zona të mbuluara me dëborë, transmeton Albinfo.ch.

Studiuesit tregojnë se ende ka shpresa për përmirësim. Një reduktim i emisioneve globale gjithëpërfshirëse të gazit, mund ta frenojë ndryshimin e ardhshëm të klimës.