Futboll

Muriqi ëndërron Kupën e Botës me Kosovën

Në një intervistë për fifa.com, Muriqi shprehu të gjitha emocionet e tij teksa theksoi se kjo është një mundësi shumë e madhe për të dhe Kosovën

Vedat Muriqi është futbollisti simbol i Kosovës. Sulmuesi 31 vjeçar në 2016 bëri debutimin e tij me skuadrën Dardane, vit kur Kosova u pranua në dy institucionet më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA.

Tani pas vetëm 10 vitesh sulmuesi dardan që njihet ndryshe si ‘Pirati’ bashkë me kombëtaren e tij janë shumë pranë ëndrrës më të madhe, atë për Botërorin e 2026.

Në një intervistë për fifa.com, Muriqi shprehu të gjitha emocionet e tij teksa theksoi se kjo është një mundësi shumë e madhe për të dhe Kosovën, transmeton albinfo.ch.

‘Jemi krijuar vetëm përpara 10 vitesh, dhe në futboll kjo nuk është asgjë-tha Vedat Muriqi ndër të tjerat në intervistën e tij-ne jemi këtu për të dhënë gjithçka dhe do të luftojmë për një vend në Kupën e Botës. Është një mundësi shumë e madhe për ne. I gjithë vendi është shumë i emocionuar. Në nivel personal, kjo është diçka speciale për mua. Këtë vit festoj 32 vjetorin e lindjes dhe një nga ëndrrat e mia është të përfaqësoj Kosovën në një Botëror apo Evropian. Do të ishte një arritje shumë e madhe në karrierën time’

Muriqi më pas theksoi se nëse Kosova do të arrijë të kualifikohet në Botërorin e kësaj vere, ai do të tërhiqet i lumtur nga futbolli.

‘Të luaj me Kosovën në Kupën e Botës, do të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të mbyllur karrierën time’-shtoi Muriqi-‘do të mund të them se dhashë gjithçka dhe se është koha të var këpucët në gozhdë. Nuk jam i sigurt nëse do të mund të vazhdoj të luaj për më gjatë. Kam folur  me miqtë për këtë. Këto ditë, me të vërtetë mezi më zë gjumi pas ndeshjeve. Do të më pëlqente të luaja në Kupën e Botës dhe më pas edhe në Evropian pas 2 vitesh, por duhet të përballem me faktet. Do të doja që arrija kulmin duke luajtur në Botëror dhe pastaj, nëse vendos të mbyll karrierën time, do të më zërë gjumi më shpejt duke e ditur që kam bërë ëndrrën time realitet’.