Lajme

Ndahet nga jeta mendimtari i madh gjerman, Jürgen Habermas

Ai pati mbrojtur bombardimet më 1999 duke thënë se askush nuk ka të drejtë t’i braktisë viktimat e t’i lërë në dorë të xhelatëve

Të shtunën, filozofi dhe sociologu vdiq në Starnberg në moshën 96 vjeç, ka njoftuar shtëpia botuese Suhrkamp për Agjencinë Gjermane të Shtypit (DPA), duke cituar familjen e tij.

Habermas ishte një nga mendimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë, transmeton albinfo.ch.

Habermas është prononcuar vazhdimisht për çështjet politike të kohës. Në rastin e Kosovës, ai pati mbrojtur bombardimet më 1999 duke thënë se askush nuk ka të drejtë t’i braktisë viktimat e t’i lërë në dorë të xhelatëve.

“Kur nuk ka rrugë tjetër fqinjët demokratikë duhet të ndërhyjnë për ndihmë emergjence e legjitimizuar nga e drejta ndërkombëtare”, kishte thënë Habermas për “Die Zeit”, prill 1999.

Veprat e tij kryesore u shkruan në Frankfurt mbi Main, ku karriera e tij filloi në vitet 1950 në Institutin për Kërkime Sociale nën drejtimin e Theodor W. Adornos. Në vitin 1961, ai mori habilitimin në Marburg me veprën e tij “Transformimi Strukturor i Sferës Publike”.

Pas disa vitesh në Universitetin e Heidelbergut, ai pasoi filozofin Max Horkheimer në vitin 1964 si Profesor i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Frankfurtit. Leksioni i tij i parë u bë libri “Dituria dhe Interesat Njerëzore” (1968).

Gjatë revoltës studentore të vitit 1968 Habermas u perceptua si mbështetës, por ai e hodhi poshtë radikalizimin e lëvizjes.