Lajme
Në Bazel filloi festivali “Balkan Culturescapes”
"Ballkani në Bazel nuk është diçka e pazakonshme. Përkundrazi, është një përditshmëri” ka thënë kryebashkiaku i Bazelit, Guy Morin
Në Teatrin e Bazelit, në mbrëmjen e të shtunës është bërë hapja zyrtare e festivalit maratonik “Culturescapes” që këtë vit i kushtohet Ballkanit. Ky manifestim artistik që zgjat dy muaj, përfshin në vete rreth 340 programe kulturore nga të gjitha vendet e ish Jugosllavisë dhe nga Shqipëria.
Të gjitha artet: nga muzika te letërsia, nga teatri te filmi nga fotografia te vallëzimi po edhe debatet për çështje problemore që lidhen me historinë dhe aktualitetin e Ballkanit, janë pjesë e festivalit i cili prej 11 vitesh organizohet në këtë format , duke pasur me Bazelin si epiqendër.
Në mbrëmjen përuruese të manifestimit, me një program këngësh korale janë paraqitur kori i shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” i Gjakovës, kori i djemve i Bazelit Knaben Kantorei nga Bazeli dhe orkestra frymore “Traktorkestar” nga Berna që luan muzikë kryesisht nga Serbia. Dy koret, i Bazelit dhe ai i Gjakovës, pasi që kanë interpretuar veç e veç këngë nga tradita zvicerane dhe shqiptare, janë shkrirë pastaj bashkë në një tërësi prej rreth 120 koristësh duke kënduar së bashku këngë në gjuhën shqipe dhe në atë gjermane. Dirigjentë të këtyre koreve ishin Markus Teutschbein dhe Astrit Pallaska.
Pas përfundimit të programit të dy koreve në sallë, programi ka vazhduar me muzikë frymore të grupit Traktorkestasr, në foajenë e teatrit
Në hapje të mbrëmjes publikut i janë drejtuar drejtori i Culturescapes Jorion Cooimann, kryebashkiaku i Bazelit Guy Morin, pastaj ministri i Kulturës i ardhur enkas nga Kosova Memli Krasniqi dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, ambasadori Arthur Mattli
Cooimann përkujtoi rrugën e vështirë në të cilën kanë kaluar kombet dhe shtetet e dala ga Ish Jugosllavia, të cilat kanë lënë mbrapa një histori të rëndë konfliktesh. Ai ka shtuar se kultura duhet të jetë ajo që krijon ura pajtimi dhe miqësie në mes të popujve të hasmuar. Dhe një ndër qëllimet e festivalit është edhe kjo.
Kryebashkiaku i Bazelit, Guy Morin ka thënë veç tjerash se është nder për qytetin e Bazelit të jetë nikoqir i një manifestimi kaq të madh dhe të dedikuar kulturës e tolerancës në mes të popujve. “Ballkani në Bazel nuk është diçka e pazakonshme. Përkundrazi, është një përditshmëri” ka thënë kryebashkiaku duke iu referuar numrit të madh të qytetarëve nga Ballkani që jetojnë në Bazel.
Ministri Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që si ministër i njërit ndër vendet e përfaqësuara në festival, të marrë fjalën në hapjen e tij. Ai ka përkujtuar se të gjitha vendet e Ballkanit synojnë së bashku BE-në ndërsa në këtë manifestim ato flasin me një gjuhë, me gjuhen e kulturës, që i afron popujt më mirë se politika. Krasniqi duke u ndalur në lidhjet që janë krijuar në mes të Zvicrës dhe Kosovës ka përmendur edhe dy futbollistët kosovarë të cilët formimin e tyre sportiv ia dedikojnë pikërisht Bazelit: Shaqiri dhe Xhaka, të cilët janë bërë shembuj për integrim dhe për afrim në mes të kulturave
Ambasadori Mattli në emrin e ministrit të jashtëm të Zvicrës Didier Burkhalter ka përshëndetur fillimin e manifestimit dhe ka shprehur me këtë rast përkushtimin e Zvicrës ndaj vendeve të Ballkanit që nga koha e plasjes së konflikteve atje, në vitet 90. Ai ka thënë se sot Ballkani i ka tejkaluar armiqësitë dhe po i shëron plagët e konflikteve. “Ballkani është sot simbol i shpresës” ka thënë veç tjerash ambasadori Mattle.
Në manifestimin e hapjes së festivalit kanë qenë të pranishëm edhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të Maqedonisë në Zvicër, Ekrem Ebibi dhe Mustafë Xhemaili, ministër këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë.
Në festivalin “Culturescapes 2013” do të prezantohen mbi njëqind artistë nga Kosova në mesin e qindra artistëve të tjerë nga i gjithë Ballkani.
Krahas korit të nxënësve të shkollës së muzikës të Gjakovës, kjo shkollë do të japë edhe shfaqjen e mjuziklit të parë shqiptar “Gëzimi dhe Arjeta”, Teatri i Kukullave i Prishtinës po ashtu do të japë shfaqje, pastaj do të ketë prezantime të artisteve shqiptarë në koncerte, shfaqje teatrore, filmike, letrare, në debate etj.
Albinfo.ch do të mbulojë në vazhdimësi aktivitetet në kuadrin e Culture Espaes Balkan 2013.
B.SH.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar










