Lajme
Në Bernë u mbajt manifestimi “Kurora e Lirisë” në përkujtim të Familjes Jashari
Ngjarja ishte një homazh i përbashkët ndaj historisë dhe sakrificës, duke dëshmuar se kujtesa për Prekazin dhe Familjen Jashari mbetet e gjallë edhe larg atdheut
Në një pasdite të mbushur me emocion, kujtesë dhe nderim, Berna u bë vendtakimi i qindra bashkatdhetarëve që u mblodhën për të kujtuar sakrificën e Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar.
Manifestimi përkujtimor dhe artistik “Kurora e Lirisë” solli së bashku përfaqësues institucionalë, diplomatë, personalitete të jetës kulturore dhe mërgatën shqiptare në Zvicër, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment reflektimi mbi historinë, lirinë dhe përgjegjësinë për ta ruajtur kujtesën kolektive.
Në mesin e të pranishmëve ishin ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Andin Ukshin Hoti, si dhe përfaqësuesi i familjes, Lulzim Adem Jashari.
Kryetrja e Parlamentit të Kantonit dhe Republikës së Gjenevës, Anna Roch ka nderuar po ashtu tubimin, me pjesëmarrjen e sj.
Në këtë ngjarje morën pjesë gjithashtu zëvendësambasadorja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, Shukrije Ramadani, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut Rexhep Demiri, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha si dhe sekretari i parë i ambasadës Valon Gashi.
Para fillimit të programit artistik, të pranishmit patën mundësinë të vizitonin ekspozitën fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare”, të realizuar nga fotografi artistik nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj.
Ekspozita përfaqëson një punë shumëvjeçare dhe përmes objektivit të autorit sjell pamje, figura dhe hapësira që mbartin kujtesën kolektive të historisë së rezistencës dhe simbolikës së Prekazit.
Programi i mbrëmjes u moderua nga Vjosa Beqiri (RTK) dhe Dan Morina (Studio Aktrimi).
Manifestimin e hapi organizatorja e ngjarjes Mirishahe Limani Hiler, e cila falënderoi të gjithë të pranishmit dhe mysafirët e ardhur nga Kosova, duke rikujtuar sakrificën sublime të Familjes Jashari dhe domethënien e saj historike për lirinë e Kosovës. Në nder të dëshmorëve u mbajt një minutë heshtje.
Më pas u interpretua Himni Kombëtar Shqiptar nga solisti dhe kori, ndërsa atmosfera përkujtimore u thellua me interpretimin epik me lahutë të këngës “Në Prekaz ka ra stuhia”, nga Ibrahim Xhaferaj.
Në vazhdim, akademiku Agim Vinca foli për peshën historike të sakrificës së Familjes Jashari dhe për domethënien që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Ai e përmbylli fjalën e tij me poezinë “Homazh për Prekazin”.
Me një fjalë përshëndetëse u drejtua edhe ministri Andin Ukshin Hoti, i cili theksoi se kujtesa për sakrificën e Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës mbetet një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar liria dhe shtetësia e Kosovës.
Në emër të Familjes Jashari, të pranishmit i përshëndeti Lulzim Adem Jashari, i cili theksoi se rrugëtimi historik i kombit shqiptar ka qenë një përpjekje e vazhdueshme për ekzistencë dhe për të qenë zot në atdheun e vet, duke nënvizuar se në themelin e çdo përparimi qëndron sakrifica.
Fjalim rasti mbajti edhe Ana Roch, kryetare e Kuvendit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, e cila theksoi se Familja Jashari është shndërruar në një simbol të qëndresës dhe të drejtës për liri.
Në përmbyllje të pjesës së fjalimeve, kryetarja e SH.K.SH. “Bashkimi” – Bern, Alida Ramaj, përshëndeti në emër të shoqatave shqiptare që veprojnë në të gjithë Zvicrën familjet e dëshmorëve, përfaqësuesit institucionalë dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Pas pjesës së fjalimeve vijoi programi artistik, ku ansamble, koret e grave dhe shoqata kulturore-artistike shqiptare nga Zvicra interpretuan këngë dhe valle me motive patriotike dhe kombëtare.
Në fund të mbrëmjes u prezantua edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, i cili solli në skenë një program të pasur artistik, duke e përmbyllur manifestimin me ritmet dhe ngjyrat e traditës shqiptare.
Mbrëmja përfundoi si një homazh i përbashkët ndaj historisë dhe sakrificës, duke dëshmuar se kujtesa për Prekazin dhe Familjen Jashari mbetet e gjallë edhe larg atdheut. Në zemër të Evropës, mërgata shqiptare në Zvicër rikonfirmoi edhe një herë se kujtimi i atyre që ranë për liri nuk është vetëm histori, por një besë e dhënë që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen kombëtare.
(Fotot: Genti Mersinaj)
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nuk dëbohen nga Zvicra dy kosovaret e dënuara për propagandim të ISIS-it Gjykata Federale Penale, Bellinzona: Veprat e kryera nuk bien nën kategorinë e "vepra penale të katalogut"... -
Vjenë
14-vjeçarja shqiptare nga Vjena mahnit jurinë në “The Voice of Kids” në Gjermani -
Shqiptarët fitojnë katër ulëse në zgjedhjet komunale në Opfikon -
Sot në Bernë mbahet “Kurora e Lirisë” kushtuar sakrificës së dëshmorëve -
Nga familja në shërbim të qytetit: çifti shqiptar zgjidhet në Këshillin Komunal të Yverdon-les-Bains
Jeta në Zvicër
-
Rasti i vajzës me aftësi të kufizuara: OKB vendos kundër Gjykatës Federale Gjykata Federale kishte vendosur që vajza duhet të ndjekë një shkollë për nxënësit me nevoja të... -
Për AHV dhe ushtrinë: Dy të tretat e zviceranëve mbështesin taksën e pasurisë -
Crans-Montana: Padi penale kundër djalit të adoptuar të Morettit -
Shteti po ndërton zyra të reja – por punonjësit duan të punojnë nga shtëpia -
Pas tragjedisë në Kerzers, PostAuto paralajmëron trajnime të reja për shoferët


























