Lajme

Në ditën e tyre, gratë shqiptare duan më shumë pushtet

Pavarësisht se presidentja e Kosovës është grua, në Qeverinë e Kosovës, nga 21 ministritë sa ka gjithësej, vetëm dy ministri drejtohen nga gratë. Gratë shqiptare ndihen të diskriminuara

Gratë shqiptare, në të gjitha shtetet që janë, vazhdojnë të mbesin të diskriminuara nga burrat, si në aspektin e punësimit e apo ashtu edhe në përfaqësimin në institucione. Kështu kanë thënë gratë deputete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i zi në një seancë mbajtur në Prishtinë me rastin e 8 Marsit-Ditës së Grave.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, pranojnë se pozita e gruas në shoqërinë kosovare nuk është në nivelin e duhur.

Pavarësisht se e parja e shtetit në Kosovë është grua, presidentja Aatifete Jahjaga, në Qeverinë e Kosovës nga 21 ministritë sa ka Kabineti, vetëm ministri drejtohen nga gratë, edhe atë njëra drejton dikasterin pa portofol.

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se Kosova po shënon prapakthim në çështjet të cilat lidhen me të drejtat e grave. Sipas saj, qeveria aktuale ka degraduar rolin e gruas në shoqëri.

“Përfaqësimi i tyre në nivelet politike dhe ekzekutive, po ashtu ka prapakthim ku në një qeveri tepër të madh dominojnë burrat, dhe nga 21 ministri kemi vetëm 2 gra. Për dallim prej qeverisë së kaluarës kur kemi pas edhe zëvendëskryeministre, sot nuk kemi”, deklaroi ajo.

Kryesuesja Kuvendi të gruas shqiptare, ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade, ka thënë se gruaja ka qenë protagoniste e të gjitha zhvillimeve historike e shoqërore.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçiu, ka theksuar se Kuvendi i Kosovës u shndërrua më 8 mars në Kuvendin e grave nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët.

“Kosova sot udhëhiqet për herë të parë nga një grua presidente. E ka një kryetare të komunës. Por, nga 22 ministri, vetëm dy udhëhiqen nga gratë. Nga 14 komisionet parlamentare, vetëm 4 udhëhiqen nga gratë, kurse kemi 3 gra që udhëheqin me grupet parlamentare, ku kemi avancim”, ka thënë Sahatçiu.

Pozita e garave po përmirësohet

Ndërsa Edita Tahiri, ministre pa portofol në Qeverinë e Kosovës kërkoi që të hapen dyert për gratë, sepse hapja e dyerve do të jetë hapje e dyerve për zhvillim, demokraci, fuqizim dhe bashkim kombëtar. “Kemi qenë të shtypur në shekullin e XX, por shekulli XXI është shekull i shqiptarëve dhe do të jemi lider në paqe, stabilitet e zhvillim”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, deputetja Monika Kryemadhi nga Lidhja Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë, ka thënë se në politikën shqiptare gruaja përfaqësohet dhe ka pozita udhëheqëse në të gjitha institucionet. Me kuotat aktuale, ajo ka vlerësuar se gruaja në Shqipëri ka dëshmuar se është e aftë të udhëheqë në politikë.

Deputetja në Kuvendin e Maqedonisë, Shpresa Hadri, nga Bashkimi Demokratik, ka thënë se femra në këtë vend çdo ditë e më tepër po arsimohet dhe emancipohet.

“Është një fatmirësi që tashmë problemi i vijimit të shkollimit të femrës, si një nga komponentet më diskriminuese ndaj saj, i takon së kaluarës. Të dhënat e fundit janë inkurajuese dhe tregojnë një trend në rritje të femrave me arsim të lartë e sipëror, madje në shumë raste me përqindje edhe më të lartë se gjinia komplementare”, ka deklaruar Hadri.

Albiona Ibrahimi, përfaqësuese e grave të Luginës së Preshevës ka thënë se përfshirja e femrës në institucione atje realizohet kryesisht vetëm në nivelin lokal. Ajo ka kërkuar ndihmën e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për shkollimin dhe emancipimin e femrës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi nga Lugina e Preshevës, pasi që, siç ka thënë ajo, në Serbi, atyre u ofrohen kushte minimale për zhvillim.

Ndërkohë, Zylfije Duraku përfaqësuese e grave nga Mali i Zi ka thënë se për shqiptarët e Malit të Zi, përfshirë edhe femrat, Kosova ishte dera e vetme ku mund të mësohej shqip, deri së voni kur kjo mundësi është krijuar edhe në Podgoricë.

Ndryshe, lideri i PDK-së dhe zëvendëskryeministri , Hashim Thaçi e ka pranuar se është larg idealit pozita e gruas në shoqërinë e Kosovës.

Duhet bërë më shumë për gratë

“Shoqëria jonë gjithmonë do të jetë më e fortë kur gratë dhe burrat gëzojnë mundësitë dhe të drejtat e barabarta. Ende jemi larg këtij ideali por sot rikujtojmë rolin e gruas si partnere, bashkëpunëtore dhe hisedare jo vetëm në lirinë dhe demokracinë tonë, por edhe në ndërtimin e familjes së shëndoshë të mbushur me dashuri”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili ka pritur gratë deputete bashkë me bashkëshorten e tij, ka thënë se ka diskriminim gjinor në Kosovë.

“Praktikat e diskriminimit gjinor dhe paragjykimeve gjinore ndaj gruas vazhdojnë të shfaqen në shumë fusha të realitetit tonë social. Në këtë rrafsh arsimimi përbën një instrument të fuqishëm për tu përballur me këtë sfidë që i bëhet zhvillimit tonë të shoqërisë”, tha ai.

Veseli thotë se arsimimi i femrës është rruga më e mirë për përfshirjen e saj në jetën politike dhe ekonomike.

“Arsimi i femrës është rruga më e mirë për përfshirjen e saj në jetën politike dhe ekonomike. Përfshirja sjellë vet barazinë gjinore, si fakt të kryer. E ne burrat nuk kemi çfarë bëjmë tjetër, para një fakti të tillë, përveçse ta pranojmë”, tha ai.

Edhe kryeministri Isa Mustafa thotë se gratë kosovare meritojnë edhe më shumë se kanë aktualisht në shoqëri. “Në institucionet më të larta të vendit, bartëse të arsimit e edukimit, mjeke e afariste, police e pjesëtare të FSK-së, kultivuese të familjes e edukatore të fëmijëve. Meritojnë edhe më shumë. Kujdesin më të madh të shoqërisë”, thotë ai.