Kosova

Në Konsullatën e Kosovës në Mynih u shënua 18 vjetori i Pavarësisë

Shumë bashkatdhetarë, nga breza dhe fusha të ndryshme, u mblodhën për të festuar së bashku një datë që na lidh zemrat kudo që jemi

Më 26 shkurt 2026, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republika e Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih “hapi dyert e saj për një mbrëmje festive, të mbushur me emocion, krenari dhe dashuri për atdheun”, thuhet në një postim të Konsullatës së përmendur, të publikuar në mediat sociale.

Shumë bashkatdhetarë, nga breza dhe fusha të ndryshme, u mblodhën për të festuar së bashku një datë që na lidh zemrat kudo që jemi. Nën tingujt e Himnit të Republikës së Kosovës dhe atij Kombëtar, u ndje fuqishëm fryma e unitetit dhe mirënjohjes për rrugëtimin e shtetit tonë.

Në fjalën e rastit, Konsulli i Përgjithshëm, z. Afrim Nura, kujtoi domethënien e 17 Shkurtit si simbol lirie, sakrifice dhe shprese për të ardhmen. Atmosfera u bë edhe më e ngrohtë përmes pjesës artistike nga kitaristja Tringa Sadiku, duke i dhënë mbrëmjes ndjeshmëri dhe elegancë, vazhdon njoftimi.

Shijet tradicionale dhe verërat “Made in Kosova” sollën aromën e vendlindjes në zemër të Bavarisë, duke e kthyer këtë pritje në një moment të paharrueshëm bashkimi, thuhet në fund të njoftimit të publikur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih.