Lajme

Në Vjenë, u hap ekspozita që dëshmon rezistencën paqësore të popullit të Kosovës

Ekspozita “Gewaltfreier Widerstand in Kosovo 1990-1998” (“Rezistenca paqësore në Kosovë 1990-1998) u hap të enjten në mbrëmje, në Bezirkmuseum Neubau në Amerlinghaus.

Rrugëtimi politik dhe qëndrimi paqësor i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova,dhe popullit shqiptar të Kosovës, u jetësua edhe në Vjenë.

Ekspozita “Gewaltfreier Widerstand in Kosovo 1990-1998” (“Rezistenca paqësore në Kosovë 1990-1998” u hap të enjten në mbrëmje, në Bezirkmuseum Neubau në Amerlinghaus.

Nën kurimin e autorit Shkumbin Brestovci, përmes kësaj ekspozite u shfaqën para publikut shqiptar dhe austriak në Vjenë, fotografitë, dëshmitë historike, botimet dhe pjesë të librave e revistave vendorë e ndërkombëtarë nga periudha përgjatë së cilës një lider politikë si Dr.Ibrahim Rugova simbolizonte unifikimin dhe rezistencën mbarë – popullore të kombit shqiptarë.

Dritën e parë jeshile me publikun kjo ekspozitë e pati në Muzeun e Pavarësisë “Dr.Ibrahim Rugova” më 2020, në Prishtinë.

Përshtypjet e mira që i la jo veç audiencës vendase, por edhe asaj të huaj kjo ekspozitë, ishte arsyeja që të vijojë rrugëtimin e saj edhe për në Evropë. “Stacioni” i parë që u ndal, ishte kryeqyteti austriak, Vjena.

Në hapje të kësaj ekspozite morën pjesë ambasadorët shqiptarë në Austri, Roland Bimo, ai i Kosovës, Lulzim Pllana, miq austriak dhe numër i madh i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Vjenë.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, e cila e konsideroj si të nevojshme këtë ekspozitë për të mësuar më shumë për kohën e para luftës dhe rezistencës paqësore.

“Është shumë e rëndësishme që kjo ekspozitë tashmë është në Vjenë. Me anë të kësaj ekspozite, mund të kuptojmë më shumë për kohën e paraluftës dhe rezistencës paqësore të popullit shqiptar, kohë kjo për të cilën na mungojnë shumë informacione”, thotë Kati Schneeberger, e cila është një nga organizatorët e kësaj ekspozite.

 

Me tej, fjalën e morën edhe ambasadorët Lulzim Pllana dhe Roland Bimo.

“Të nderuar zonja dhe zotërinj, është edhe për ne kënaqësi, sidomos për ambasadën tonë, por edhe për të gjithë ne bashkërisht të kemi një ekspozitë të tillë e cila tregon një histori të Republikës së Kosovës dhe një histori të rezistencës paqësore, sidomos të asaj të presidentit historik të Kosovës, zotit  Ibrahim Rugova. Ajo çfarë na ka lënë presidenti, është edhe një metodë tjetër që ne ta trashëgojmë edhe tek gjeneratat tjera”, theksoi ambasadori i Kosovës, Lulzim Pllana.

Ambasadori i Shqipërisë Roland Bimo, gjatë fjalimit të tij, rikujtoj takimet që kishte me Dr. Ibrahim Rugovën, që në kohën para se të bëhej president.

“Dr.Ibrahim Rugovën e kam takuar dy herë para se të bëhej president. Njëherë, në Amerikë dhe njëherë tjetër këtu në Vjenë. Ajo që të bënte përshtypje gjatë kohës sa rrije më të, ishte se, dukej sikur i përhumbur, sikur nuk ishte aty me ty teksa bisedonim. Papritmas, kuptoje që kishe të bëje me një njeri të hekurt dhe që e dinte jashtëzakonisht mirë se çfarë po bën. Ai e dinte se çfarë do. Dhe, kur njeriu e di se çfarë do, atëherë gjënë edhe rrugën për të arritur deri aty. Ky është edhe shembulli më i mirë i presidentit Rugova që na ka lënë. Kam përshtypjen që edhe kjo ekspozitë dhe ky emërtim “Gewaltfreiheit” i atribuohet më së miri presidentit Rugova”, theksoi ambasadori Bimo.

Frischenschlager: Ne e njohim historinë e Kosovës gjatë luftës, por nuk kemi njohur historinë e saj të para luftës

Ndërkohë, Friedhelm Frischenschlager, ish ministër i Mbrojtës në Austri dhe punonjës i misionit të OSBE-së në Kosovë, pasi foli për vitet që ka kaluar në Kosovë dhe misionin e tij për të ndërtuar një demokraci të shëndoshë, theksoi:

“Për austriakët në përgjithësi emri i Kosovës është lidhur gjithmonë me luftën e ish-Jugosllavisë, me dhunën dhe ekseset që kanë ndodhur gjatë asaj kohe atje. Ne e dimë që në Kosovë vërtet ka ndodhur luftë, dhunë dhe eksese, por ajo çfarë ne na ikur në harresë është se, ka qenë edhe një rrugë e vështirë dhe një histori në vetvete edhe para luftës. Gjatë viteve të 1979- 1998, popullata kosovare kanë qenë e shtypur dhe të persekutuar, por pavarësisht kësaj, ata janë vlerësuar për rezistencën paqësore”, tha ai.

Tutje, Frischenschlager foli edhe për idenë që ka nisur që këtë ekspozitë ta sillnin edhe në Vjenë. “Në vitin  2020 në Muzeun e Pavarësisë “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë, kam vizituar këtë ekspozitë dhe kam takuar Shkumbinin. I kam thënë se, pse nuk e sillni këtë ekspozitë edhe në Vjenë. Pas kësaj bisede, me t’u kthyer në Vjenë, kemi formuar grupin punues të cilët kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të sjell këtë ekspozitë sonte para jush”, shtoi ai, duke falënderuar të gjithë grupin punues: kuratorin Shkumbin Brestovcin, këshilltaren lokale të Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger,  historianin dhe albanologun Robert Pichler, politologien Kaltrina Durmishi si dhe dizajnerin Arben Myftaraj.

Brestovci: Mbledhja e materialeve për këtë ekspozitë me ka marr kohë 3 vjet e gjysmë

 Autori i ekspozitës, Shkumbin Brestovci tregoi rreth përmbajtjes së kësaj ekspozite.

“Ndoshta nuk kam se çfarë të flas shumë për përmbajtjen sepse atë po e shihni. E gjithë esenca e rezistencës paqësore, jo të dhunshme ka qenë shtetndërtimi. Ideja për të mbledhur materialet për ekspozitën në Prishtinë, mua më ka marr kohë afërsisht tre vjet e gjysmë. Deri më tash është i shkruar vetëm një libër për rezistencën paqësore të Kosovës, nga një shkencëtar anglez. Nuk ka asnjë dokumentar. Ka vetëm disa copëza të vogla. Rezistenca paqësore më të vërtet ka mbet paksa anash, ka nevojë për shumë hulumtim. Plani që kjo ekspozitë me qenë lëvizëse, më ka dhënë më shumë vullnet për të hulumtuar dhe për të sjell edhe më shumë informata të reja interesante dhe të panjohura për publikun”, tha Shkumbini Brestovci.

Ndërkohë, Kaltrina Durmishi theksoi se kjo ekspozitë do të vazhdoj edhe në qytete të tjera të Austrisë.

“Interesimi për të qenë edhe në qytete të tjera të Austrisë është shumë i madh. Jemi duke u koordinuar për kohën dhe vendin, për të qenë kudo që kërkohet pra, brenda dhe jashtë Austrisë”, pohoi ajo duke falënderuar edhe kompanitë e  shqiptarëve në Austri të cilët mbështeten këtë projekt.

Yll Blakaj nga kompania “Blakaj Fenster & Türen” njëherësh edhe kryetar i Rrjetit të Bizneseve për Austri ka theksuar se, ka qenë kënaqësi e veçantë për ta përkrahur këtë projekt kaq të rëndësishëm kushtuar rezistencës paqësore të presidentit Ibrahim Rugova, arkitektit të Pavarësisë së Kosovës.

“Mendoj që kjo ekspozitë po shfaqet në momentin e duhur, pasi si shtet po kalojmë një situatë jo të mirë. Kjo që shohim sot, nuk ka qenë rruga për të cilën na ka mësuar Dr.Ibrahim Rugova dhe njerëzit e vyeshëm  që kanë punuar për  pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Sigurisht se kjo është një iniciativë shumë e mirë dhe besoj se kjo ekspozitë do të shfaqet kudo që ka shqiptar, jo vetëm në Austri por edhe në Zvicër dhe Gjermani. Ne si biznese çdo herë do të përkrahim iniciativa të tilla”, ka potencuar Yll Blakaj.

Ekspozitën mund ta vizitoni çdo ditë në Bezirkmuseum Neubau në Amerlinghaus, Stiftgasse 8, 1070, Wien, dhe do të qëndroj e hapur deri në fund të muajit shtator. Në vjeshtë, ekspozita pritet të prezantohet para publikut edhe në qytete të tjera të Austrisë.