Lajme

Në Zvicër testohet “qeni digjital” – karroca me AI ndihmon të verbrit të bëjnë Pazar

Karroca funksionon me asistent zanor, i cili udhëzon përdoruesin gjatë gjithë procesit të blerjes

Një projekt kërkimor në Zvicër po zhvillon një karrocë inteligjente me inteligjencë artificiale që ndihmon personat me dëmtime në shikim të bëjnë pazar në mënyrë të pavarur, pa pasur nevojë për një person shoqërues.

Prototipi po testohet aktualisht në një supermarket Migros në Hinwil (kantoni i Cyrihut). Karroca funksionon me asistent zanor, i cili udhëzon përdoruesin gjatë gjithë procesit të blerjes, transmeton albinfo.ch.

Sistemi është zhvilluar në kuadër të një projekti të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Lindore (OST) dhe përfshin motorë në rrotat e pasme, sensorë Lidar për të zbuluar pengesat dhe kamera që identifikojnë produktet në raftet e dyqaneve.

Karroca është trajnuar paraprakisht me një kopje digjitale të supermarketit, në mënyrë që të dijë vendndodhjen e produkteve dhe të mund të udhëzojë përdoruesin drejt tyre – njësoj si një “qen udhëzues digjital”.

Studiuesit shpresojnë që teknologjia të ndihmojë personat me probleme në shikim të fitojnë më shumë pavarësi në jetën e përditshme, pasi për shumë prej tyre blerjet në supermarket janë një sfidë e madhe.