Kosova
“New Born Fest” sjell në Prishtinë folklorin e shumë shteteve
Në sheshet e Prishtinës u bashkuan grupe të ndryshme të valltarëve tradicionalë nga shtetet e ndryshme. Fillimisht kanë zbarkuar në sheshin “Ibrahim Rugova”, për të vazhduar më pas deri te bulevardi “George Bush”, shkruan koha.net.
Veçantitë e kulturës së tyre nuk kanë kaluar pa marrë edhe vëmendjen e kalimtarëve.
Pjesëmarrës ishin ansamble nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bullgaria, Qiproja Veriore, Lituania, Polonia, Panamaja e Meksika.
E para që hapi festivalin ishte Polonia me grupin “Mali Gorzowiacy”. Nën melodinë që krijohej nga një bend i vogël, i cili kishte ardhur t’i shoqëronte, valltarët sollën bukurinë e folklorit të tyre, përcjell albinfo.ch.
Me valle plot kolorit erdhi Turqia. Ata sollën atmosferë të mrekullueshme teksa përveç lëvizjeve, ritmin e krijonin edhe duke goditur tokën me këmbë.
Grupi i Letonisë, po ashtu dhuroi spektakël në New Born fest, ku pjesë të tyre kishin edhe fëmijë.
Teksa Turqia e Qiproja Veriore sollën ritmin oriental jo pak të njohur në vend, Panamaja dhe Meksika sollën diçka krejt ndryshe.
Koordinatori i festivalit, njëherësh solist i “Shotës”, Besnik Grajçevci, ka treguar se defilimi nëpër tërë sheshin e Prishtinës ka pasur një qëllim, shkruan koha.net.
“Ju patët mundësi të shihni pak. Kjo ishte ceremonia e hapjes së festivalit, që tashmë tradicionalisht është vendosur që hapja të bëhet në formë të defileut, në mënyrë që valltarët të jenë sa më afër qytetarëve tanë. Domethënë me i ndie vallëzimi me muzikën e me të gjitha sa ma afër publikut”, ka thënë ai.
Grajçevci është shprehur i lumtur për ecurinë e festivalit. Ka thënë se nëpërmjet valltarëve të shteteve të ndryshme, janë munduar të prekin secilin skaj të botës.
“Jemi shumë të lumtur që arritëm ta vazhdojmë tradicionalisht festivalin “New Born Kosova”, edicionin e dytë, pas një pune dhe sfide jashtëzakonisht të madhe. Falënderim i veçantë u shkon veçmas institucioneve tona shtetërore dhe Komunës së Prishtinës. E veçantë e këtij edicioni është se jemi bashkërisht FIDAF Kosova dhe ansambli ‘Shota’ dhe kemi grupe shumë të bukura dhe profesionale. Kemi prekur të gjitha kontinentet e botës që t’i sjellim në festivalin tonë koloritin dhe ngjyrat e të gjitha kombeve”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.
Të lumtur u shprehën edhe valltarët. Melissa Guzman nga Meksika tha se ishte hera e parë në Kosovë.
“Po, kjo është hera jonë e parë në Kosovë dhe jam shumë e lumtur të jem këtu, në këtë vend kaq të bukur. Njerëzit janë të gjithë tepër mikpritës dhe të sjellshëm”, ka thënë Melissa Guzman, për koha.net.
Kolegu i saj, Daniel Olguin, ndër të tjera, ka veçuar mikpritjen e publikut.
“Ndër të tjera, ata vlerësuan mikpritjen e publikut. “Ne u ndiem shumë mirë. Ne prezantojmë kulturën tonë, të Meksikës dhe fakti që njerëzit e shijuan folklorin tonë është një nder për ne”, ka thënë Daniel Olguin, përcjell albinfo.ch.
Lidia Kalembkiewicz nga Polonia është shprehur e lumtur me performancën para publikut në Kosovë.
“Ne u ndiem shumë mirë, sepse është një gjë që ne e bëjmë me pasion dhe na pëlqen ta sjellim kulturën tonë te të gjithë këtu, kështu që ata mund ta shohin dhe ta përjetojnë me ne”, ka thënë ajo.
Në kuadër të festivalit “New Born Kosova” do të mbahet edhe një garë, ku do të ndahen tri çmime. Gara, e cila do të zërë vend në sheshin “George W. Bush”, do të sjellë një sërë performancash, të cilat do të zhvillohen për tri ditë, shkruan koha.net.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit "Gjatë një kontrolli të plotë të individëve të pranishëm, zyrtarët e policisë kantonale gjetën një shkop... -
Manifestim përkujtimor kombëtar KUSHTRIMI I LIRISË, edhe në Itali -
Shwyz: Komuna kundërshton ngritjen e një xhamie të shqiptarëve -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Shqipëri
Remitancat drejt Shqipërisë në rritje, pritet vit rekord me mbi 1 miliard euro
Jeta në Zvicër
-
Grabitje banke në Erlinsbach, Solothurn, vidhen disa mijëra franga Një kërkim në shkallë të gjerë ndaj tij deri më tani ka qenë i pasuksesshëm... -
Pse kantoni i Aargaut mund të jetë vendi më i mirë për të jetuar në Zvicër -
Shwyz: Komuna kundërshton ngritjen e një xhamie të shqiptarëve -
Qindra akademikë në Zvicër janë mobilizuar kundër një marrëveshjeje akademike me Izraelin -
Crans-Montana: Përgjegjësitë mund të arrijnë deri te kantoni














