Lajme

Nesër mblidhet Komuniteti Politik Evropian

Për herë të parë, nesër do të mblidhet Komuniteti Politik Evropian në Pragë të Çekisë. Plot 44 shtete të Evropës, përfshirë edhe Kosovën, do të jenë pjesëmarrëse në këtë samit joformal, i iniciuar nga presidenti francez Emanuel Macron. I njëjti në Kosovë po vlerësohet si iniciativë e mirë, por që nuk mund të ketë ndonjë peshë politike dhe juridike për vendin. Më shumë konsiderohet si mundësi për të lobuar për liberalizimin e vizave nga ana e presidentes Vjosa Osmani, e cila do të jetë pjesëmarrëse.

Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se mbajtja e këtij samiti nuk do të nënkuptojë krijimin e një mekanizmi të ri ose ndonjë paradhome politike për shtetet joanëtare të BE-së.

Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Krezyiu-Hyseni, e cila është edhe nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, thotë për KosovaPress se Komuniteti Politik Evropian synon vetëm të bashkojë politikat e shteteve evropiane në mënyrë që të ketë një unitet më të madh në BE pas luftës në Ukrainë.