Sport

Nga neglizhenca e ekipit olimpik, notari Sidni Hoxha jashtë garës

Notari Sidni Hoxha nuk është paraqitur në 100 metra stil i lirë, për shkak të neglizhencës së Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë

Shqipëria asnjëherë nuk ka fituar medalje në Lojërat Olimpike, derisa në Rio po përfaqësohet me gjashtë sportistë. Megjithatë, ekspedita e tyre është ballafaquar me shumë probleme dhe skandale, shkruan albinfo.ch.

Fillimisht kishte akuza për keqpërdorime dhe atmosfera në ekipin kuqezi nuk ishte në nivelin më të mirë. Skandali tjetër ishte edhe më banal.

Peshëngritësja shqiptare, Evangjelia Veli nuk ishte në ceremoninë hapëse për shkak se nuk kishte uniformë zyrtare.

Skandali i radhës ka të bëjë me not. Trajneri i notarit kuqezi Sidni Hoxha, Shpëtim Hoxha hedh akuza për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë nga ana e drejtuesve të KOKSH-it. Në bazë të rezultateve të regjistruara më parë, Sindi Hoxha do të konkurronte në dy garat 100 metra stil i lirë dhe 50 metra stil i lirë, por notari nuk u përfshi në garat e 100 metrave që ishte parashikuar me datën 9 gusht dhe sipas trajnerit Shpëtim Hoxha, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik nuk e regjistruan emrin e sportistit pasi nuk morën pjesë në mbledhjen teknike.

“Sidni nuk ka marrë pjesë jo për fajin e tij pasi në mbledhjen e fundit që është Komisioni Teknik që është mbledhja vendimtare ku vendosen edhe garat e tjera, Komiteti Olimpik Shqiptar nuk ka qenë pjesëmarrës në këtë mbledhje dhe për këtë arsye në mënyrë automatike Sidni është përjashtuar nga gara 100 metra. Mospjesëmarrja e tyre në një komision teknik tregon papërgjegjshmëri, por dhe pa përvojë. Përbën atë që quhet neglizhencë absolute”, ka thënë ai për mediat shqiptare.