Shqipëria

Nis transferimi i të burgosurve shqiptarë nga Anglia në Shqipëri

Ministri i Drejtësisë në Britaninë e Madhe, Alex Chalk, ka njoftuar se ka nisur transferimi i të burgosurve shqiptarë nga Britania në Shqipëri.

Ai në një intervistë për The Telegraph ka pranuar se “zhgënjimi i fortë” që kishte në koston e taksapaguesve britanikë për strehimin e të burgosurve të huaj, 47,000 £ në vit për çdo të burgosur, e kishte shtyrë të ecte përpara me planin për transferimin e të burgosurve drejt vendeve të origjinës.

Chalk theksoi se ai tashmë ka arritur një marrëveshje me Shqipërinë për të transferuar 200 nga kriminelët e saj më të rrezikshëm, të cilët po vuajnë katër vjet ose më shumë në burgjet britanike, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tyre në vendin e tyre.

Shqiptarët përbëjnë 13 për qind të të gjithë kriminelëve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, përqindja më e madhe, me 1,323 të burgosur aktualisht. Chalk zbuloi se i pari i deportuar sipas skemës ishte një kontrabandist i rrezikshëm droge i dënuar me 17 vjet burg.

Një ditë më parë, Top Channel raportoi se i transferuari i parë është trafikanti shqiptar NERITAN KOLLUDRA, i dënuar nga një gjykatë e Londrës në vitin 2017, për trafik kokaine. Prej disa javësh, Kolludra po vuan vitet e mbetura në një burg të sigurisë së lartë në Jug-Lindje të Shqipërisë.

I dënuari drejtonte një organizatë kriminale në Londër, e përshirë në trafik kokaine me vlerë 150 milionë stërlina, për llogari të një prej tri familjeve më të forta kriminale në Elbasan.

Në vendimin e Gjykatës së apelit të emigracionit në Londër, të cilin e disponon Top Channel, thuhet se sekretari i shtetit në 7 qershor 2021 ka vendosur dëbimin e tij në Shqipëri me argumentin se ai përbën kërcënim për interesat e sigurisë në Britanisë së Madhe.

“Dëbimi juaj në këtë moment është marrë në konsideratë nga Drejtoria e Burgjeve dhe Shërbimit të Provës, pasi jeni identifikuar si një person i përshtatshëm, ndaj të cilit mund të zbatohet transferimi në Shqipëri për të vuajtur pjesës së mbetur të dënimit”.

NERITAN KOLLUDRA e apeloi vendimin e transferimit në një burg shqiptar, me argumentin se kjo do ta ndante atë nga bashkëshortja dhe fëmijët, vizitorë të përmuajshëm në burgun anglez ku ai mbahet. Por, gjykatësi Mark Blundell nuk e pranoi apelimin e Neritan Kollundrës, duke i hapur rrugë transferimit në një burg shqiptar.

Marrëveshja e transferimit të burgosurve Angli Shqipëri firmosur në Londër nga ministri Ulsi Manja dhe homologu britanik Alex Chalk, parashikon se të burgosurit shqiptarë në shtetin ishull, vullnetarisht mund të aplikojnë për transferim. Një tjetër klauzolë në marrëveshje, i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë angleze të transferojë drejt Shqipërisë edhe pa pëlqim të burgosur, të cilët kërkon ti largojë nga burgjet angleze në ato shqiptare.

Aktualisht në burgjet angleze vuajnë dënime të ndryshme mbi 1500 shqiptarë, mes tyre 17 dënuar për vrasje me burgime të përjetshme. Deri më tani kanë aplikuar me dëshirën e tyre për t’u transferuar 80 të burgosur shqiptarë, të cilët vuajnë dënime mbi katër vjet./Top Channel