Kulturë

Azem Maksutaj

Thai bokser

Me sport luftarak kundër dhunës: Një fjali paksa e çuditshme dhe kontradiktore? „Jo“, vlerëson Azem Maksutaj. Kampioni i 14-fishtë botëror në Thai boks ishte si mysafir në një tubim me të rinjtë në Talhof duke u shpjeguar atyre se përse ky sport luftarak është më tepër se një rrahje e pakuptimtë

Mynih, Uzwil, Bazel: Të rinjtë të cilët pa kurrfarë arsye i rrahin njerëzit, në kohë të fundit janë përkujdesur që t’i mbushin përplot faqet e para të gazetave. Rastet e brutalitetit të të rinjve, kanë ndikuar që këto vepra të dënohen më ashpër dhe kërkojnë një punë më intensive për parandalimin e tij. Edhe Sekretariati rinor i Kantonir të St. Gallen-it, muajve të fundit e ka shqyrtuar më shpeshë këtë çështje.

Të premten, në qendrën e të rinjve në Talhof, ishin tubuar shumë të rinj nga anë të ndryshme të qytetit, për të diskutuar në lidhje me temën “Me sport luftarak kundër dhunës“. Mysafir eminent i mbrëmjes ishte kampioni i 14-fishtë botëror në Thai boks nga Winterthur-i, kosovari  Azem Maksutaj, i cili të rinjve u shpjegoi për vlerat e këtij sporti luftarak. Në fillim të mbrëmjes u prezantua filmi dokumentar „Being Azem“, i cili rrëfen për ngritjet e pjerrta të Azemit, nga një të strehuar, në njërin nga sportistët më të mirë në botë. Edhe në film mund të vërehet se çfarë kuptimi ka porosia e tij. Ky sport luftarak nuk do të thotë dhunë pa kuptim, por në radhë të parë një disiplinë, ambicie dhe dëshirë për të përparuar. „Edhe po të jenë meçet brutalë, në ring nuk ka urrejtje. Këtu bëhet fjalë për një fitore sportive“, u ka shpjeguar Maksutaj rreth njëzet të rinjve, të cilët kosovarin 36-vjeçar e dëgjonin me vëmendje.

Për të arritur deri këtu, duhet një mund i madh dhe angazhim i pashoq i trupit. Këtë sport luftarak, Azem Maksutaj e sheh si një art pozitiv, por edhe mënyrë për tu shfryrë. „Sporti luftarak e ndërton strukturën trupore, por edhe e largon agesionin“, ka vazhduar ai. Pas 90 minutave ushtrime sportive, është e garantuar heqja e hidhërimit nga shpirti. Ja se si vjen deri te efekti pozitiv i një ushtrimi të ashpër: „Pas ushtrimit, njeriu është tepër i lodhur për të shetitur rrugëve, për të konsumuar lëndë narkotike dhe të rrahë njerëz të pafajshëm“, shpjegon e përditshmja „St. Galler Tagblatt“, udhëzimet e Azemit.

Me një qasje ndaj dhunës së rritur të të rinjve, Maksutaj është shprehë i bindur se të rinjtë të cilët janë me përvojë të sporteve luftarake, nuk marrin pjesë në këtë dhunë. „Një sportist e di se çfarë vlera posedon dhe ai nuk ka nevojë të dëshmojë një gjë të tillë“, thotë Maksutaj. Në shumë shkolla të Thai boskit, të cilat shtrihen nëpër shumë qytete zvicerane, ai u ka parashtruar rregulla të qarta anëtarëve. „Kush rrihet jashtë klubit, ai fluturon jashtë tij“.

Për Maksutaj, tre rregulla janë të rëndësishme në sportin luftarak: përmbajtja rigoroze e rregullave, disciplinës dhe këmbëngulësisë: Por, jo vetëm në sportin luftarak, edhe në jetën private Maksutaj u përmbahet këtyre rregullave. „Secili ka një fuqi të brendshme për t’i arritur qëllimet e veta“, deklaron ai duke ilustruar historinë e tij për t’i bindur të rinjtë. Ai ka lindur dhe është rritur në Kosovë, në rrethana të dobëta, ndërsa si azilkërkues në Zvicër, shpeshë kishte hasur në pengesa të mëdha. Edhe përpos të gjitha barrierave, ai nuk kishte hequr dorë duke u treguar i këmbëngulshëm derisa nuk u ngjitë lartë. „Nuk duhet të dorëzoheni pas një humbjeje. Po që se nuk gjeni ndonjë vend për trajnim, provoni mëtutje. Alkooli dhe droga nuk u sjellin asgjë“, i ka këshilluar Maksutaj të rinjtë e ndërgjegjshëm.

„Me këtë temë të mbrëmjes, qëllimi ka qenë tu shpjegohet të rinjve se ky sport luftarak nuk ka asgjë të përbashkët me rrahjet e pakuptimta. Në opinion, shpeshëherë këto dy terme përdoren si të njëjtë“, ka deklaruar Ralf Frehner, nga Enti për të rinj „Jugendarbeit West“. Një qëllim tjetër ka qenë edhe largimi i dhunës dhe qëndrimi ndaj tij. Frehner ishte i kënaqur me mbrëmjen: „Shumë rrallë ndodhë që të rinjtë këtu të rrinë tërë mbrëmjen dhe të dëgjojnë“, përfundon ai.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriAzem Maksutaj
  • Prejardhja: Deçan
  • Vendi ku vepron:Winterthur
  • Profesioni:Thai bokser
  • Kontakti www.azem.ch

  WHO’S WHO të tjera