albinfo.ch
Kultura
Një rinoçeront me qëndrim ilegal në Zvicër
Përshtypje nga shfaqja "Kosovo for dummies" e Jeton Nezirajt, e cila këto ditë po shfaqet në "Schlachthaustheater" të Bernës
Një kuti kartoni e mbështjellë me gjemba dhe brenda saj një zë femre që flet herë gjermanisht e herë shqip. Kjo skenë shkund pluhurin e përditshmërisë rutinë në restorantin e vogël “Ali Baba dhe 40 cubat” të arabit Salal që shërben “döner”. Që në fillim, një asociim i qartë me skenat aktuale me tela gjemborë, me refugjatë arabë, shqiptarë, në Maqedoni, Hungari e gjetiu.
Qetësia monotone në imbisin e arabit, ku z. Schmidt vegjetonte duke ngrënë nga katër dönerë përnjëherë dhe shprehte dashurinë për të huajt, pëson një çarje kur aty vjen refugjatja nga Kosova, ilegalja e bukur, Antigona. Kjo është pikënisja e shtjellimit dramatik të komedisë “Kosovo for dummies”, me autor Jeton Nezirajn dhe regjisor Johannes Mager.
Bartësja e rolit kryesor, atij Antigonës, Albana Agaj është themeluese dhe drejtuese e trupës teatrore “Forever Productions” e cila ka prodhuar shfaqjen që u dha premierë të enjten që shkoi në “Schlachthaus Theater” të Bernës.
Antigona e porsaardhur në Zvicër hyn në mënyra të ndryshme ne jetët e personazheve të shfaqjes. Nëpunësi shtetëror, z. Hartmann e nuhat gjendjen e Antigonës dhe bën të gjitha përpjekjet për të mos ia dhënë lejen e qëndrimit në Zvicër. Në vargun e gjatë të dokumenteve që i kujtohen t`ia kërkojë është edhe “vërtetimi se ajo nuk është rinoçeront”, një gjetje kjo që komedisë ia shton edhe segmentin e dramës së absurdit. Hartmann është një nëpunës që shikon me dyshim dhe përçmim çdo gjë të huaj. Për të, gjithçka ndahet në “këtu” dhe “atje”, në “tanët” dhe “të tyre” . Ai madje edhe për qenin zviceran i cili e ndjek për ta kafshuar, thotë se këtë po e bën pasi nuk guxon të kafshojë të huajt, sepse në një rast të tillë, ai, qeni, do të akuzohej për racizëm!
Nga ana tjetër, z. Schmidt që është një kombinim në mes idealistit dhe njeriut naiv, para se të vinte Antigona, planifikonte të shkruante një guidë për Kosovën. “Kosovo for dummies” do të quhej libri i tij për vendin që nuk e kishte vizituar kurrë ndonjëherë, ndërsa me ardhjen e Antigonës shpreson t`i afrohet më shumë këtij qëllimi. Por, situatën e saj ai e sheh edhe si shans për një afrim romantik me të, duke i ofruar madje edhe martesën (për letra).
Sigurisht, nuk është në natyrën e një teksti të tillë gjetja e një zgjidhjeje ose përgjigje përfundimtare për problemet që shtron. Më shumë “detyrë” e tekstit dramatik dhe e inskenimit është evidentimi i problemeve, në këtë rast ai i dallimeve ndërkulturore dhe vënia në lojë e paragjykimeve që shkojnë deri në shkallën e groteskës. Si e këtillë, u lihet shikuesve të japin “zgjidhjet” e veta. Fundja, vetë Neziraj u “garanton” në tekst atyre se “nëse shfaqja nuk u pëlqen, autori është i gatshëm ta rishkruajë atë nga fillimi!”
“Schlachthaustheater” i Bernës synon të sjellë shqiptarët në teatër
“Albana Agaj thotë për albinfo.ch se shfaqja po pritet mjaft mirë dhe se ajo do të jepet filimisht edhe në Gjermani e pastaj, vitin që vjen edhe në Kosovë e në Shqipëri. Ajo u bën thirrje me këtë rast publikut shqiptar të Zvicrës të vijë për të shikuar këtë shfaqje e cila flet edhe për realitetin kosovar. Sjellja e komunitetit shqiptar në sallën e teatrit ka qenë edhe njëra ndër arsyet që „Schlachthaustheater Bern” ka marrë për të inskenuar këtë tekst komedie.
“Kosovo for dummies” është shfaqja e dytë e Jeton Nezirajt që po jepet në “Schlachthaus Thetare” të Bernës. E para ishte “Flutirimi mbi Teatrin e Prishtinës”, e dhënë vitin e kaluar. Edhe për trupën e Albana Agajt “Forever Productions” ky është produksioni i dytë në po këtë teatër, pas atij “Verrate wenn du küsst” (Trego kë po e puth) në shkurt të vitit 2014. “Kosovo for Dummies” do të jepet në këtë teatër edhe më: 15, 16, 17 dhe 18 shtator.
Në shfaqje luajnë aktorët: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Ursula Stäubli, Robert Baranowski dhe Nadim Jarrar.
E-Diaspora
-
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë Më 28 mars 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, mbahet një... -
Gjenevë
Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi -
Mëso shqip në diasporë: Regjistrimet hapen në shumë shtete
Jeta në Zvicër
-
Testet zbulojnë nivel të lartë të PFAS në qumështin e Appenzell Ausserrhoden Rreth një e treta e fermave të testuara treguan përqendrime të PFAS mbi normat e BE-së... -
Gjenevë
Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit -
Të pasurit e Dubait po i drejtohen Zvicrës -
Disa votues në Vaud nuk kanë marrë ende materialet e votimit -
Pistoleta e re e ushtrisë zvicerane merr vlerësimin më të ulët në testime


















