Lajme
Një sallë koncertesh në Aargau u mbyll në vitin 2025 për arsye sigurie, sot kjo konsiderohet fat i madh
Katastrofa e zjarrit në Crans-Montana, në kantonin Valais, ka tronditur opinionin publik brenda dhe jashtë Zvicrës. Ngjarja ka prekur veçanërisht edhe kryetarin e komunës Untersiggenthal në Aargau, i cili në vitin 2025 kishte marrë një vendim të diskutueshëm: mbylljen e një salle të njohur koncertesh për shkak të rreziqeve të sigurisë. Një vendim jo popullor në atë kohë, por që sot konsiderohet si një fat i madh.
Vetëm një dalje emergjence
Bodrumi i birrës në Untersiggenthal kishte shërbyer për dekada me radhë si vend koncertesh (“Live im Chäller”), festash karnavalesh dhe aktivitetesh për të rinjtë. Ambienti ishte i njohur edhe jashtë kufijve të komunës, e cila numëron rreth 7’800 banorë.
Koncertet kishin një atmosferë të veçantë për shkak të hapësirës në bodrum, pa dritare. Por ekzistonte një problem serioz: lokali kishte vetëm një dalje emergjence, e cila ishte njëkohësisht edhe hyrja kryesore. Kapaciteti ishte rreth 80 persona.
Siguria mbi gjithçka
“Zjarrfikësit ishin gjithmonë të pranishëm kur kishte shumë njerëz në bodrum dhe kjo konsiderohej e mjaftueshme,” shpjegon kryetari i komunës, Adrian Hitz. Megjithatë, në pranverën e vitit 2025 ai vendosi personalisht që koncertet të mos lejoheshin më për shkak të rregullave të sigurisë kundër zjarrit.
“Nuk mund ta merrja më mbi vete këtë përgjegjësi,” thotë Hitz.
Në verën e vitit 2025, pas 30 vitesh aktivitet, bodrumi i birrës u mbyll. Vendimi hasi në kundërshtime të forta në këshillin komunal dhe mes shoqatave kulturore.
Një vendim i vështirë, por i drejtë
Sot, pas tragjedisë në Crans-Montana, kryetari i komunës është i bindur se vendimi ishte i duhuri.
“Kur mora vesh për zjarrin, në pesë sekondat e para mendova vetëm një gjë: sa me fat kemi qenë që nuk ndodhi asgjë në bodrumin tonë,” shprehet ai.
Ai beson se shumë nga kritikët e atëhershëm sot do ta shihnin ndryshe këtë vendim.
Reflektim edhe nga organizatorët
Edhe Micha Plüss, president i Shoqatës Kulturore të Untersiggenthalit, e pranon se tragjedia në Valais të prek thellë.
“Për dekada gjithçka kishte funksionuar mirë,” thotë ai. “Por sot jemi më të vetëdijshëm për rëndësinë e rregullave të sigurisë.”
Shoqata është e lehtësuar që klubi u zhvendos në një ambient që përmbush standardet më të fundit të mbrojtjes nga zjarri.
Një fund i lumtur për vizitorët dhe organizatorët
Vendndodhja nuk u mbyll përfundimisht, por u zhvendos nga bodrumi në katin e sipërm, në hollin (foyer) të ish-sallës shumëfunksionale, e cila tani është zëvendësuar nga një palestër sportive trefishe.
Lokali i ri quhet “FoYeah”, një lojë fjalësh me termin “foyer”. Hapja zyrtare u festua në shtator 2025. Koncertet vazhdojnë, por tani në një ambient më të sigurt, me disa dalje emergjence dhe dritare.
Edhe pse “Chällergroove” i dikurshëm i bodrumit nuk ekziston më, siguria e përmirësuar është sot arsye për qetësi dhe mirënjohje.
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave











