Shqipëria

Një student shqiptar, në krye të Federatës së Studentëve të Zvicrës

Gazmendi Noli është zgjedhur bashkëkryetar i Federatës së Studentëve të Zvicrës (VSS), organizatë çati e të gjitha shoqatave të studentëve në vend

Gazmendi Noli është, prej tashmë disa muajsh, bashkëkryetar i Federatës së Studentëve të Zvicrës, VSS. Bëhet fjalë për një organizatë nën “çatinë” e të cilës janë të gjitha shoqatat e studentëve të universiteteve dhe të shkollave të larta të Zvicrës. Si bashkëkryetar dhe si anëtar kryesie, ai bën pjesë në “ekzekutivin” e federatës në fjalë.

Në krye të Federatës ai është së bashku me bashkëkryetaren, Nadège Widmer.

albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Gazmendin, ku ai flet për zgjedhjen  etij në këtë federatë, angazhimet e tij të mëparshme dhe të tanishme, si student, planet e punës, synimet për bashkëpunim me organizatat simotra në Shqipëri dhe në Kosovë, etj.

albinfo.ch: Jeni zgjedhur bashkëkryetar i Federatës së Studentëve të Zvicrës, VSS. Ka pasur shumë kandidatë? Si jane zhvilluar zgjedhjet?

G. Noli: Zgjedhjet janë mbajtur më 14 maj në Bazel, ku jam zgjedhur nga delegacionet e studentëve të universiteteve dhe shkollave të larta zvicerane. Gjithsej kanë qenë 8 kandidatë që provuan te hyjnë ne ekzekutivin e studentëve, në nivel nacional.

albinfo.ch: Keni qenë para kësaj, në krye të ndonjë shoqate studentësh që ju ka propozuar për kreun e federatës? Cili ka qenë aktiviteti juaj deri në marrjen e këtij posti?

G. Noli: Para se të bëhesha kryetar i federatës, isha dy vite ne ekzekutivin e shoqatës së studentëve të Universitetit të Bernës (Studierendenschaft der Universität Bern), ku po bëja studimet Bachelor. Gjatë asaj kohe isha përgjegjës për marrëdhëniet politike me drejtorinë e universitetit, me qeverinë e kantonit të Bernës dhe përfaqësoja shoqatën në Federatën Nacionale, ku tani jam bashkëkryetar. Gjithashtu drejtoja grupin që merrej me çështjet ligjore brenda shoqatës së studentëve të universitetit të Bernës.

albinfo.ch: VSS është organizatë “çati” e të gjitha shoqatave të studentëve të Zvicrës apo njëra nga to?

G. Noli: Der Verband der Schweizer Studierendenschaften (VSS) është organizata çati dhe e vetmja që përfaqëson interesat e mbi 200’000 studentëve në nivel nacional në Zvicër. Për këtë qëllim ne marrim pjesë në takimet e komisioneve parlamentare zvicerane dhe kemi kontakt me politikanë të ndryshëm mbi temat që kanë rëndësi për ne.

albinfo.ch: Cilat janë detyrat e bashkëkryetarëve, si i keni ndarë punët, gjegjësisht cilat detyra i keni marrë ju, si njëri ndër dy bashkëkryetarët?

G. Noli: Bashkëkryetarët duhet të drejtojnë dhe ta përfaqësojnë federatën brenda dhe jashtë vendit, të flasin në emër të të gjithë studentëve dhe të luftojnë për interesat e të drejtat e tyre. Ne menaxhojmë dhe planifikojmë punët e pesë anëtarëve të tjerë te ekzekutivit. Ne krijojmë lidhje midis tyre dhe punëmarrëseve tanë dhe kemi kontakt me shoqatat e ndryshme lokale dhe rajonale. Po ashtu bashkëkryetarët janë përfaqësuesit brenda kuadrit të swissuniversities dhe konferencës nacionale të shkollave të larta.

Unë jam përgjegjës për dosjen e politikës nacionale dhe dosjen sociale. Gjithashtu jam përgjegjës për organizimin e iniciativës popullore “Europainitiative”, që do e ngremë bashkë me “Operation Libero”. Bashkë me sekretaren gjenerale kontrolloj financat e federatës dhe jam përgjegjës për punëmarrësit e federatës.

albinfo.ch: Si federatë studentësh, sigurisht keni në program edhe bashkëpunimin me federatat ose shoqatat simotra, jashtë Zvicrës. A mendoni që ndonjë aktivitet i tillë mund të bëhet edhe me shoqatat nga Shqipëria, Kosova etj.?

G. Noli: Ne kemi sigurisht kontakt me shoqatat e studentëve të vendeve të tjera, sidomos me shoqatën gjermane dhe austriake për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe sepse kemi shpeshherë struktura dhe probleme të njëjta.

Unë do të doja shumë të kishim kontakt më të fortë me shoqatat nga Shqipëria dhe Kosova, sepse shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria janë një pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë dhe jetës në Zvicër. Prandaj po planifikoj që t’i ftojmë në asamblenë e delegacioneve tona në pranverë, e cila do të mbahet në Bernë. Ne shpresojmë që te mundemi të përdorim sallën e parlamentit shtetëror për asamblenë dhe t’ua tregojmë studentëve nga Shqipëria dhe Kosova qytetin dhe sistemin politik ne Zvicër. Shpresoj që do të ja dal kësaj iniciative.

Pak biografi

I lindur në Shqipëri, Gazmendi ka ardhur në moshën 11-vjeçare në Zvicër për shkak të punës së babait, që është diplomat. Që prej ardhjes në Zvicër, ai ka mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin Kirchenfeld në Bernë dhe ka bërë po ashtu studimet për Bachelor në histori dhe drejtësi publike në Universitetin e Bernës. Tani studion juridikun, në nivelin Master, në të njëjtin universitet.