Integrimi

Mbi gjysmë shekulli mërgim të bacës Nue

“Mendonim se shumë shpejt do të ktheheshim, por asnjëherë nuk u kthyem dot përgjithmonë në Kosovë”, thotë Nue Munishi, i ardhur në Zvicër në vitin 1973  

Shqiptarët nga Kosova dhe viset e tjera të ish-Jugosllavisë kanë filluar të vijnë për të punuar në Zvicër nga mesi i viteve `60 të shekullit të kaluar, por në një numër pak më të madh, ardhja ka ndodhur në fillim të viteve `70.

Nue Munishi, nga Kabashi i Vitisë, është vendosur në Zvicër në prill të vitit 1973. Kështu e përshkruan ai ardhjen e tij në “kurbet”:

“Disa ditë para se gruaja ime të lindte fëmijën e parë, Gjergjin, u nisa për në Zvicër për të emigruar, që të siguroj kafshatën e gojës për familjen”. Para kësaj, një kohë ai kishte qëndruar në Shkup, ku kishte punuar si punëtor fizik.

I pyetur për praninë e shqiptarëve në atë kohë në Zvicër ai thotë se në kantonin ku punonte atëbotë, në Thurgau, veçanërisht në Kreuzlingen, ishin gjithsej 11 shqiptarë.

Të gjithë erdhëm me mendimin që të ktheheshim sa më shpejt, por…

“Disa prej nesh ishin nga Poroji (Tetovë), disa nga Gjakova dhe disa nga komuna e Vitisë. Ndoshta ndonjëri prej tyre kishte ardhur një apo dy vite më herët, përndryshe të gjithë kishim ardhur diku në atë kohë. Dhe, të gjithë me qëllime afatshkurtra për të siguruar një jetë më të mirë për veten dhe familjen në atdhe, dhe për t’u kthyer prapë. Këtë mendim e kishim çdo vit që shpejt do të ktheheshim prapë në vendlindje, por asnjëherë nuk patëm mundësi të ktheheshim përgjithmonë në Kosovë”, thotë baca Nue.

Më tutje ai thotë se para se të vinte në Zvicër, derisa ishte në Kosovë punonte si punëtor në ndërtim, ndërsa familja e gruas së tij ishin zdrukthëtarë të njohur pothuajse në gjithë Kosovën. Ata punonin djepa, arka të ndryshme, dyer e dritare dhe gjësende të tjera prej druri.

Dihet se një pjesë e mirë e “gastarbajterëve”, siç quheshin punëtorët e jashtëm të asaj kohe në Gjermani dhe Zvicër, kishin ardhur të organizuar, përmes zyrave sociale të shtetit të atëhershëm jugosllav. Por një numër tjetër vinin edhe spontanisht. Në këtë kategori bënte pjesë edhe Nue Munishi.

“Jo, ardhja ime nuk ka qenë fare e organizuar. Ne vetë erdhëm në Zvicër për të kërkuar punë, pastaj kompanitë zvicerane na dërgonin “garancionin” në Beograd, ku duhej të shkonim për të marrë vizën”, shprehet ai. Ndërkaq, punë ka pasur sa të dush, por në kufi i jemi nënshtruar kontrollimit shëndetësor, për të parë nëse kemi tuberkuloz ose sëmundje të tjera. Ata që ishin të sëmurë, i kthenin menjëherë”, vazhdon Munishi.

Jetesa kolektive në baraka, me kushte të vështira dhe me mallin e familjes

Punët më të zakonshme në atë kohë kanë qenë ato në ndërtimtari ose në bujqësi. “Fillimisht, si shumë shqiptarë të tjerë, kam punuar në ndërtim, si murator, e më pas si “Kranführer” (operator vinçi). Kam punuar për rreth 15 vite në ndërtim, dhe më pas ndryshova profesionin dhe u bëra zdrukthëtar”, rrëfen ai.

Jetesa në mërgim në atë kohë ka qenë shumë e vështirë dhe ka fare pak ngjashmëri me të sotmen. Ajo që vlen pothuaj për të gjithë mërgimtarët tanë të asaj kohe është se ata vinin këtu si të vetëm “beqarë”, pra jetonin pa familje. Kështu e përshkruan z. Munishi atë kohë:

“Fillimisht kemi jetuar këtu pa familje dhe një kohë nëpër baraka, ku nuk kishim as banja për t’u pastruar. Më vonë morëm bashkë një apartament, në një shtëpi shumë të vjetër. Jeta ishte e vështirë, por organizoheshin në mënyrë të ndryshme. Disa përgatisnin ushqimin, disa të tjerë merreshin me larjen e rrobave, dhe disa me pastrimin e banesës dhe kështu me radhë. Kishim sfida të mëdha, veçanërisht me gjuhën e me mallin për familje e atdhe. Letrat e dërguara familjes ende i ruajmë në një arkë në Kosovë si një kujtim dhe si një frymëzim nostalgjik”.

Si punohej atëbotë, sa fitohej dhe sa mund të kursehej

Punëtorët shqiptarë të asaj kohe jetonin në kushte shumë modeste, kursenin në çdo gjë, privonin veten nga të mirat që ofronte jeta në Zvicër vetëm për të mundur të kursenin para për të ndihmuar familjet në Kosovë.

Baca Nue në rrëfimin e tij na i sjell shumë të gjalla rrethanat e punës dhe jetës së atëhershme. “Pagat në atë kohë kanë qenë shumë më të ulëta se tani, por njësoj, të ulëta kanë qenë edhe çmimet, kështu që kishte mundësi të mira kursimi. “Rroga ishte rreth 1’400 franga (po u krahasua me sot, i bie rreth 4’000 franga) dhe sigurisht, kishte dallim të madh me rrogat në Kosovë. Nga paga që merrnim, deri në 1’000 franga i kursenim çdo muaj dhe ua dërgonim familjeve në Kosovë. Në atë kohë, jeta në Zvicër ishte shumë e lirë, çmimet ishin shumë më të volitshme se, për shembull, në Gjermani, kështu që të shtunat, dyqanet në Zvicër ishin plot me gjermanë, të cilët vinin për të blerë mallra. Frangu ishte më i lirë se marka”.

Bashkimi i familjes pas 15 vjetësh dhe një histori suksesi

 Më shumë se 15 vjet ai ka jetuar në Zvicër me mallin e familjes, të cilën mund ta vizitonte vetëm një ose dy herë në vit, një jetë e vështirë që mund ta përballonin vetëm falë përkushtimit ndaj familjarëve dhe mirëqenies së tyre.

“Familjen e sollëm këtu në vitin 1989, pasi situata politike dhe sociale në Kosovë filloi të përkeqësohej. Pastaj, në vitin 2003, hapëm biznesin tonë “Munishi AG”, i specializuar në prodhimin e mobileve nga druri dhe kuzhinave, pasi dy djemtë kishin mësuar zanatin dhe ishin të punësuar në këtë profesion”.

Bashkë me ta e hapëm këtë biznes, ndërsa djali tjetër ishte i punësuar në ministrinë kantonale dhe punonte në financa. Katër vajzat punonin në profesione të ndryshme. Sot biznesi është zgjeruar dhe fëmijët e mi kanë shumë kompani të tjera dhe pronësi të ndryshme në Zvicër. Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe i lumtur për sjelljet dhe arritjet e tyre në familje dhe profesionin e tyre. Sot jetojmë të gjithë në qytetin e Wil-it. Shtatë fëmijë e njëzet e një nipër e mbesa jetojnë afër meje. Të gjithë janë të shkëlqyeshëm në shkollë, në studime, në punë, në sport dhe kanë familje të mrekullueshme. Jemi shumë krenarë dhe të bekuar me atë që kemi arritur”, shprehet i kënaqur Nue Munishi, tek shikon arritjet e fëmijëve të tij.

 

Edhe pse gjithë familjen e ngushtë e ka në Zvicër, baca Nue viziton Kosovën, atje ku i ka kujtimet dhe të afërmit e tjerë, së paku dy herë në vit. “Sigurisht, kemi shtëpi edhe në Kosovë dhe djemtë kanë një bashkëpunim të suksesshëm me disa kompani në vend”, thotë ai.

Letrat e dërguara familjes i ruaj në një arkë

 Kishim sfida të mëdha, veçanërisht me gjuhën e me mallin për familje e atdhe. Letrat e dërguara familjes ende i ruajmë në një arkë në Kosovë si një kujtim dhe si një frymëzim nostalgjik”.