Muzikë
Lozanë: Veshjet tradicionale shqiptare, mesazh i fortë për identitetin dhe rininë
Ekspozita paraqiti një koleksion të pasur të veshjeve tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare duke na ofruar një udhëtim në histori, traditë dhe identitet
Më 2 maj 2026, në ambientet e Universitetit të Lozanës (UNIL), u mbajt ekspozita “Trésors Vestimentaires”, një ngjarje kulturore që solli në qendër të vëmendjes pasurinë dhe identitetin e veshjeve tradicionale shqiptare, raporton albinfo.ch.
E organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Lozanë, kjo ekspozitë mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish-studentë, përfaqësues institucionalë dhe dashamirës të kulturës shqiptare-duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe autentike në zemër të një prej universiteteve më të njohura në Evropë.
Një thesar kulturor i sjellë në jetë
Ekspozita paraqiti një koleksion të pasur të veshjeve tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare, të kuruara nga Flora Balaj, duke ofruar për publikun një udhëtim vizual në histori, traditë dhe identitet.
Vizitorët patën mundësinë të shohin nga afër detajet e punuara me mjeshtëri, ngjyrat karakteristike dhe simbolikën që mbart çdo kostum-elemente që dëshmojnë për një trashëgimi të ruajtur ndër shekuj.
“ILIRËT” i dhanë shpirt traditës
Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte performanca e ansamblit “ILIRËT” në Lozanë, ku një grup vajzash të reja të veshura me kostume tradicionale sollën në skenë hijeshinë dhe elegancën e kulturës shqiptare.
Vallet tradicionale të interpretuara prej tyre krijuan emocione të forta tek publiku dhe i dhanë aktivitetit një dimension të gjallë artistik, duke e kthyer ekspozitën në një përvojë të plotë kulturore.
Mesazh i fortë për rininë shqiptare
Në një prononcim për albinfo.ch, Fane Shala, kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Lozanë, theksoi se ideja për këtë ekspozitë kishte lindur prej muajsh, me synimin për të prezantuar pasurinë kulturore shqiptare edhe për komunitetet e tjera në Lozanë.
“Trashëgimia jonë është një thesar. Kemi dashur ta ndajmë këtë pasuri dhe t’ua tregojmë edhe të tjerëve vlerat tona kulturore,” u shpreh ajo, duke dhënë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për të rinjtë:
“Mos kini turp të prezantoni kulturën tuaj. Merrni pjesë në aktivitete të tilla. Le të marrim shembull nga arbëreshët në Sicili, që kanë arritur ta ruajnë kulturën e tyre për qindra vite-pse të mos e bëjmë edhe ne?”
Pjesëmarrje e gjerë dhe interes i madh
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe figura publike shqiptare, përfshirë politikanët e rinj me rrënjë shqiptare si Musa Kamenica dhe Gzim Rama, si dhe përfaqësues të institucioneve diplomatike.
Ndër të pranishmit ishte edhe Monika Zguro, përfaqësuese e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër, që dëshmon mbështetjen institucionale për promovimin e kulturës shqiptare në diasporë.
Prania e tyre, së bashku me komunitetin e gjerë, tregoi interesin në rritje për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Identitet që jeton edhe larg atdheut
Ekspozita “Trésors Vestimentaires” nuk ishte vetëm një prezantim i veshjeve tradicionale, por një dëshmi e gjallë se identiteti shqiptar vazhdon të jetojë dhe të përcillet edhe jashtë kufijve.
Në një kohë kur ruajtja e kulturës bëhet gjithnjë e më sfiduese, aktivitete të tilla tregojnë qartë se diaspora shqiptare jo vetëm që e ruan këtë trashëgimi, por e promovon atë me krenari dhe dinjitet.
Hyrja në ekspozitë ishte e hapur për publikun dhe aktiviteti u mirëprit gjerësisht nga të pranishmit
E-Diaspora
-
Inovatori i ri shqiptar në Zvicër: Projekti i tij për motor me hidrogjen në garën kombëtare shkencore Një i ri shqiptar në Zvicër, Dionys Thaqi, po prezanton një projekt inovativ në kuadër të... -
Berlin
Rinia shqiptare në Berlin organizon për herë të parë Albanian Film Festival -
Londër
Lea Ypi prezanton librin “Indignity” në LSE Library -
Siparantum Choir nga Kosova dhe ARTyn Choir nga Lituania në koncert të përbashkët në Pejë -
Berlin
“Defi i Syriganës” ekspozita e Petrit Halilajt sjell artin bashkëkohor me elemente folklorike shqiptare në Berlin
Jeta në Zvicër
-
Qeveria zvicerane vlerëson sistemet alternative të mbrojtjes ajrore Qeveria zvicerane po ndjek blerjen e një sistemi shtesë të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë... -
Lajmet që morën më shumë vëmendje këtë javë -
SMS Blaster, një mjet i ri mashtrimi aq i thjeshtë sa edhe efektiv, po përhapet në Zvicër -
Farmacitë në Bazel në veprim kundër dhunës në familje -
Pabarazitë në rritje në Zvicër















