Lajme

KUR VESHJA BËHET IDENTITET!

Një mbrëmje që e ktheu traditën shqiptare në spektakël kulturor!

Në një sallë të transformuar në një mozaik të gjallë tradite, ngjyrash dhe simbolesh, Berni përjetoi një nga ngjarjet më domethënëse të kulturës shqiptare në diasporë.

Promovimi i dokumentarit “Kostume shqiptare në Zvicër” dhe prezantimi i dy veshjeve të reja nga etnokostumografja Flora Balaj,  nuk ishte thjesht një aktivitet artistik,  ishte një akt i vetëdijes kombëtare sidomos këtu në mërgatë.

Një skenë që foli para fjalës!

Pa prezantime të zakonshme, me një shenjë simbolike çau heshtjen dhe hapi një mbrëmje që më shumë i ngjante një rituali kulturor sesa një programi formal. Vajzat e veshura me kostume tradicionale hynë në skenë me elegancë të rrallë, ndërsa melodia përcjellëse i dha hapësirës një dimension emocional të thellë tek të pranishmit.

Kulmi i këtij momenti ishte Himni Kombëtar,  si nderim i kombit tonë, një çast që e ngriti publikun në këmbë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht e emocionalisht.

Estetikë që rrëfen histori!

Fotot dëshmojnë qartë atë që publiku e përjetoi: një skenografi e menduar deri në detaje, me artefakte, në hyrje me një mirëseardhje.

Manekene me veshje tradicionale, qilima të kuq me motive shqiptare, baneri monumental me veshje kombëtare me mbishkrimin “Kostumet Popullore – Identitet Kombëtar” dhe flamujt kombëtarë: të Shqipërisë, Kosovës e Zvicrës, krijuan një hapësirë ku çdo element fliste për përkatësinë. Në qendër qëndronin veshjet e reja, jo si objekte ekspozimi, por si deklarata artistike varur si emblema pranë dritareve të sallës.

Dokumentari – arkiv i gjallë i identitetit!

Prania e regjisorit Llesh Nikolla i dha peshë të veçantë mbrëmjes. Sepse si artist që është ai e filloj me një poezi, rrëfimin e tij për këtë ngjarje të madhe. Ai e trajtoi dokumentarin jo si një realizim teknik, por si një akt ruajtjeje të kujtesës kolektive.

Filmi solli një rrëfim të ndjerë për kostumet shqiptare,  jo vetëm si veshje, por si gjuhë simbolike që mbart histori, dhimbje, krenari dhe identitet. Në një kohë kur shumë tradita rrezikojnë të zbehen, ky dokumentar i riktheu ato në qendër të vëmendjes, përplot tridhjetë minuta të realizimit të saj, nga një armët e bashkëpunëtorëve të tija, në mesin e tyre Flora Balaj, si etnografe, Pren Balaj si Producent, dhe Gëzim Arifin si kameraman, e Shkëlzen Rexha si fotograf.

Tinguj që zgjojnë kujtesën!

Atmosfera u thellua edhe më shumë me interpretimin e mjeshtrit të madh të çiftelisë z.Fatmir Makolli i cili kishte ardhur enkas nga Kosova për këtë eviniment. Tingujt e çiftelisë dhe mishnicës krijuan një lidhje të drejtpërdrejtë mes skenës dhe rrënjëve, duke e bërë publikun të ndjejë jo vetëm muzikën, por edhe historinë që ajo mbart ndër breza, sepse Aurelia Balaj një vajzë debutante në çifteli po ja mbante perden për një vargë melodish, që nuk dinin të ndalen nga gishtat e kalitur tash e 50 vite me radhë.

Fëmijët – vazhdimësia e identitetit!

Një nga momentet më prekëse, siç dëshmohet edhe në foto, ishte paraqitja e fëmijëve të SH.K.A “Dardania”, me seli në Winterthur, me vallen instrumentale të dy motrave Aurelia dhe Kleofina Balaj dhe me këngën: “Zemra m`rreh për ty Shypni” kënduar nga motrat Lejla dhe Sara Grabovci.

Me instrumente në duar dhe të veshura me veshje tradicionale, ato sollën një energji të re, të pastër dhe tejet autentike, e veqanarisht të drejtpërdrejt, para të pranishmëve. Ato nuk performuan thjesht, ato dëshmuan se kultura shqiptare ka të ardhme.

Kur tradita bëhet krijim!

Në qendër të mbrëmjes qëndronte puna e Flora Balaj. Dy veshjet e saj të reja nuk ishin vetëm rikrijime, por ishin interpretim i guximshëm për  traditën.

“Paja e nuses” ishte më emocionale, më personale, sepse ajo ishte kujtua që pajën e nusërisë ta bënte veshje, nga të gjitha punimet ngjitur me kujdes nga një pjesë, dhe ajo vërtet ishte një ide dhe një risi e madhe për shumë të pranishëm e sidomos të studiuesve tanë, që ishin prezent.

Ndërsa “Kostumi Popullor Shqiptar” sfidoi kufijtë krahinorë, duke ofruar një identitet më të gjerë dhe bashkim i katër zona tona kryesore të veshjeve më kryesore, dhe që erdhi si një sintezë e disa kombinimeve etnografike,  një bashkim simbolik i trojeve shqiptare në një veshje të vetme.

Këto krijime dëshmuan se tradita nuk është e ngrirë, ajo evoluon.


Zëri i dijes dhe përgjegjësisë!

Akademik Prof. Dr. Zymer Neziri e cilësoi këtë ngjarje si një shembull të rëndësishëm të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke i motivuar që të vazhdohet edhe më tutje kështu sepse përmes veshjeve tona të pasura që kemi, bota edhe na nderon, por edhe po habitet që si ka mundësi që në një popull kaq të vogël, të ketë kaq shumë lloje veshjesh të qëndisura në forma të ndryshme, shpesh edhe me simbole kombëtare, fetare e krahinore të trevave tona.

Ndërsa Dr. Sibela Alimovska solli një dimension tjetër, të paraqitjes së saj sidomos, sfidat reale të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar jashtë kufijve, e në këtë rast edhe të qytetit të alfabetit tonë të gjuhës shqipe, Manastirin e lënë në mëshirën e kohës edhe harresës, dhe zhdukjen e gjurmëve tona të themeleve të historisë sonë.

Një sfilatë që u kthye në rrëfim kombëtar!

Sfilata ishte një spektakël më vete. Nga veriu në jug, nga Shqipëria në Kosovë e deri te veshjet Arbëreshe, çdo paraqitje ishte një histori më vete.

Publiku nuk po shikonte vetëm veshje – ai po shikonte vetveten, sepse secili nga të pranishmit kishte diçka të afërt me ato veshje që po shfaqeshin nga vajzat dhe djemtë e zgjedhur të stilistes Flora Balaj, e që me përkushtim i kishte veshur me kujdes, për tu dukur sa më mirë dhe sa më komplet.

Fjalët kryesore të këtij evinimenti!

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bern, Ermal Dredha, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare në mërgatë, duke vlerësuar iniciativa të tilla si një urë lidhëse mes brezave dhe identitetit.

Po ashtu, publicisti dhe presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore në Zvicër, Dr. Dashnim Hebibi, njëherësh editor i portalit Helveticalforum, përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi lart gatishmërinë e diasporës shqiptare për të kontribuar edhe më shumë në ruajtjen dhe promovimin e kulturës, duke veçuar guximin dhe vizionin e “Flora Style” për këtë iniciativë.

Fjalë rasti pati edhe Nazmi Jakurti, nga Lidhja Shqiptare në Botë, prej nga theksoj edhe vlerat që ka kjo ngjarje dhe ruajtja e vlerave tona kombëtare përmes veshjeve.

Një finale që lë gjurmë!

Në fund, paraqitja e SH.K.A “Dardania” shpërtheu në energji dhe emocion, duke dëshmuar nivelin e lartë artistik që kjo shoqëri ka arritur ndër vite, duke e mbushur skenën edhe me tre veta, sepse fustanella e bëri të veten me vallen e Osman Takës, dhe valle kollazhi të Çamërisë sonë, që edhe sot është jashtë kufijve tanë, por që në këtë mbrëmje ishte një afri dhe kënaqësi sidomos për Ambasadorin e Shqipërisë në Bern që u fascionua me këtë valle të veçantë për momente të tilla.

Mbrëmja u përmbyll me mirënjohje, për ata që sponsoruan, për ata që mbështeten në forma të ndryshme këtë eviniment, të organizuar nga Flora Style në Bern të Zvicrës.  Muzika dhe një atmosferë bashkimi, ardhur edhe nga Kosova, dhe Malësorja e Deçanit, e bëri atmosferën ku arti dhe identiteti u bënë një.

Më shumë se një event!

Ajo që ndodhi në Bern ishte më shumë se një aktivitet kulturor.

Ishte një dëshmi se diaspora shqiptare nuk është vetëm ruajtëse e traditës, por edhe krijuese aktive e saj.

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, kjo mbrëmje dha një mesazh të qartë:

Identiteti nuk humbet – ai rikrijohet.

Shefqet Cakolli, 28.04.2026