Lajme

Një studim i ri konfirmon rolin e gjenetikës në varësinë nga nikotina

Varësia nga cigaret nuk është e njëjtë për të gjithë. Ajo nuk është çështje fatit, por lidhet me gjenezën tonë, tregon një studim amerikan-meksikan i botuar të martën në revistën shkencore Nature Communications. Ky studim konfirmon një realitet gjenetik që tashmë ishte dokumentuar më parë.

Zbulimi

Shkencëtarët analizuan gjenomet e mbi 250,000 duhanpirësve në tre kontinente të ndryshme. Ata zbuluan se disa njerëz që mbajnë një ose dy variante të gjeneve CHRNB3 pinë më pak cigare, madje ndonjëherë shumë më pak se të tjerët.

Saktësisht, ata me një variant të gjeneve CHRNB3 pinë 21% më pak cigare në ditë, ndërsa ata me dy mutacione pinë 78% më pak.

“Truri i këtyre personave është më pak i prirur ndaj nikotinës. Ata kanë një receptor – i cili mund të shpjegohet si një bravë ku çelësi është nikotina – që funksionon më ngadalë dhe është më rezistent,” shpjegon Thierry Favrod-Coune, mjek dhe përgjegjës i njësisë së trajtimit të varësisë në Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG), në programin e lajmeve RTS 19h30.

Për shkak të këtij receptori, njerëzit me gjene CHRNB3 kanë tendencë të pinë më pak cigare.

Drejt trajtimeve më efektive?

Ekzistojnë tashmë medikamente që bllokojnë receptorin e nikotinës, por efektiviteti i tyre është i kufizuar.

Ky zbulim i ri shkencor ngre shpresa për zhvillimin e një ilaçi që mund të imitojë efektin frenues të variantit gjenetik të studiuar.

“Duke pasur parasysh se përdorimi i duhanit ulet me 80% tek njerëzit që kanë të dy gjene të modifikuara, mund të imagjinohet se ky trajtim i ri mund të jetë 3-4 herë më i fuqishëm se medikamentet aktuale,” thekson Thierry Favrod-Coune.

Në Zvicër, duhani është përgjegjës për 14% të vdekjeve. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), ai është substanca që shkakton më shumë vdekje, para alkoolit dhe drogës.